Zëri Amerikës dhe Deutsche Welle: Këshilli i Europës anulon vëzhguesit në Shqipëri

Zëri i Amerikës dhe Deutsche Welle kanë shkruar mbrëmjen e sotme pasi Këshilli i Europës ka anuluar misionet vëzhguese të zgjedhjeve në Shqipëri.

Të dy agjencitë e lajmeve shkruajnë se misioni është anuluar për shkak të paqartësive dhe zgjedhjeve të njëashme që po bëhen në Shqipëri.

Ja çfarë shkruan Zëri i Amerikës

Në Shqipëri, Kongresi i Autoriteteve Rajonale dhe Lokale, strukturë e pavarur e Këshillit të Europës, ka njoftuar sot se ka anulluar dërgimin e misionit të vëzhguesve të vet për zgjedhjet vendore, për shkak të paqartësive mbi zhvillimin e zgjedhjeve dhe pasigurisë së mundshme në disa zona të vendit. Kryetari Demokrat Lulzim Basha reagoi menjëherë duke deklaruar se bëhet fjalë sipas tij për një vendim politik, pasi 30 Qershori u shpreh ai nuk është ligjërisht një ditë zgjedhjesh

Një ditë përpara se të niste në Tiranë, takimet e planifikuara të misionit të tij të vëzhguesve, Kongresi i Autoriteteve Rajonale dhe Lokale, ka njoftuar sot tërheqjen nga monitorimi i zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit. Kongresi është një strukturë e pavarur e Këshillit të Euroës, dedikuar demokracisë vendore. Misioni i vëzhgimit në Shqipëri ishte parashikuar të përbëhej nga 26 anëtarë. Shkak i anullimit është bërë sipas njoftimit ‘pasiguria e vazhdueshme lidhur me organizimin e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit dhe rreziqet e mundshme të sigurisë në disa zona ku do mund të zhvendoseshin vëzhguesit’

Menjëherë pas këtij njoftimi, ka reaguar kryetari demokrat Lulzim Basha, sipas të cilit ku vendim është marrë ‘sepse 30 Qershori nuk është ligjërisht ditë zgjedhjesh në Shqipëri.Është një vendim qartësisht politik sepse tërheqje nga Këshilli i Europës nuk ka patur as për zgjedhje të zhvilluara në zona konfliktesh të armatosura apo konfliktesh civile nga Ukraina në Gjeorgji nga Armenia në Azerbajxhan apo edhe gjatë konfliktit të armatosur në Maqedoni’.

Zoti Basha vijoi më tej duke shtuar se kjo tërheqje ‘është distancim i qartë nga votimet farsë një-partiake, anti-demokratike dhe anti-kushtetuese që kërkon të bëjë Edi Rama’. Ai përsëriti se ‘votimet e 30 qershorit janë nul, janë dhe do të jenë zero. Ato janë tentativë për grusht shteti i Edi Ramës për të rrëmbyer të gjithë qeverisjen vendore të Shqipërisë, me të njëjtat banda dhe me të njëjtët kriminelë që vodhi edhe zgjedhjet e 2015-s dhe të 2017-s. Opozita dhe qytetarët janë në këmbë në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje tëdemokracisë! Ne nuk do të lejojmë votime të paligjshme dhe farsë!’

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama u kundërpërgjigj, duke folur për ‘sajesën e radhës’ sipas tij, të kryetarit të opozitës.

Misioni i Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale, si rregull, e koordinon aktivtetin e tij në terren me vëzhguesit e ODIHR-it, duke dhënë një ditë pas zgjedhjeve dhe një vlerësim paraprak të përbashkët. Për zgjedhjet e 30 Qershorit misioni i ODHIR-it përbëhet nga më shumë se 30 ekspertë dhe vëzhgues afatgjatë, ndërsa është parashikuar që për ditën e votimit të mbërrijnë dhe 150 vëzhgues afatshkurtër. Drejtuesja e misionit të ODIHR, Audry Glover, pati sot një takim dhe me kryetarin demokrat Lulzim Basha.

Raporti i DW pas anulimit të misionit të KiE

Këshillit i Europës (KiE) anuloi të mërkurën, (26.05.2019) në momentin e fundit, dërgimin në Shqipëri të delegacionit nga Kongresi i Autoriteteve Lokale, për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale, që pritet të zhvillohen këtë të dielë më 30 qershor.

Anulimi vjen një ditë pas deklaratës së Presidentit Meta se, ligjërisht nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor’.

Por zhvillimi i Lokaleve 2019  në Shqipëri, në prag të 30 qershorit, sa vjen dhe bëhet fakt real. Mazhoranca socialiste dhe partitë opoziatare parlamentare po vazhdojnë fushatën zgjedhore deri në ditën e heshtjes zgjedhore, 24 orë para ditës së zgjedhjeve. Ndërkohë, opozita jashtë sistemit politik, e kryesuar nga Partia Demokratike(PD) vijon të deklarojë e do të pamundësojë zhvillimin e zgjedhjeve. Një situatë e tillë sjell paqartësi dhe ngre pyetjen:  A do të ketë apo nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor? Pikërisht kësaj paqartësie dhe rreziqeve që mbart ajo i referohet KiE në vendimin e sapomarrë..

Në njoftimin e tij zyrtar KiE bën me dije se „ ka vendosur të mos dërgojë një delegacion të Kongresit të Autoriteteve Lokale të KiE, për vëzhgimin e zgjedhjeve lokaleve në Shqipëri për shkak të paqartësisë së vazhdueshme lidhur me organizimin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri më 30 qershor si edhe rreziqet e mundshme të sigurisë në zona të caktuara ku do të mbahen zgjedhjet.’

Ndërkohë misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, i ftuar nga qeveria e Tiranës, për vëzhgimin e procesit zgjedhor për Lokalet 2019,  më 30 qershor, vazhdon punën, i drejtuar nga Ambasadorja Audrey Glover.

Basha: Vendim politik i KiE për t’u distancuar nga votimet farsë

Lideri i PD dhe opozitës, Lulzim Basha e quajti anulimin nga KiE të dërgimit në Shqipëri të delegacionit vëzhgues, „sinjalin e parë, të qartë dhe të prerë se 30 qershori nuk është ditë zgjedhjesh në Shqipëri’.

Në një konferencë shtypi,  të mërkurën pasdite, Basha tha se ‘vendimi i KiE është fakt kuptimplotë se në 30 qershor nuk ka zgjedhje në Shqipëri.’

Sipas tij vendimi në fjalë është ‘distancim i qartë për votimet farsë, një partiake, antidemokratike dhe antikushtetuese që kërkon të bëjë kryemnistri Rama’

Basha i quajti votimet në 30 qershor ‘tentativë për grusht shteti nga Rama’ dhe përsëriti se opozita nuk do t’i lejojë votimet këtë të diel.

Sipas Komisionit të Ligjeve, Presidenti Meta ka cënuar parimin e zhvillimit periodik të zgjedhjeve, parimin e ligjshmërisë dhe të së drejtës së qytetarëve për të zgjedhur dhe për t‘u zgjedhur. Në seancën plenare të javës që vjen, më 4 korrik, ngritja e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta do të votohet në Parlament.

 

Exit mobile version