Zëri i Amerikës: Një nga emrat më të përfolur që ka dalë si rezultat i DEA-s ka qenë Klement Balili. Ç’po bëhet me rastin e tij?
Fatmir Xhafaj: Jemi duke u marrë seriozisht edhe ne, edhe vetë DEA, por edhe disa agjenci homologe të vendeve europiane. Së pari kemi hapur një proces hetimor lidhur me pasurinë e këtij grupi kriminal dhe nga ana tjetër jemi duke u marrë fort me kërkime për të identifikuar dhe zbuluar vendndodhjen e tij dhe për ta vënë përpara drejësisë.
Zëri i Amerikës: A ndodhet ai brenda në Shqipëri, apo jashtë Shqipërie?
Fatmir Xhafaj: Kjo është një çështje që nuk më takon ta them këtu në studio. U takon agjentëve të policisë kriminale dhe agjentëve të DEA-s, të cilët gjithashtu po punojnë fort për këtë gjë.
Zëri i Amerikës: Nëse i kthehem edhe një herë sasisë së madhe të kokainës që u kap në Durrës, janë arrestuar shoferi, administratori dhe është shpallur në kërkim pronari i firmës. Për një sasi aq të madhe këta duket se janë fundi i këtij rrjeti trafiku. A kanë nxjerrë hetimet diçka më të madhe se kaq?
Fatmir Xhafaj: Po. Për aq sa më lejohet mua të marr informacion, për aq sa më lejohet mua të di lidhur me informacione të kësaj natyre, jam në dijeni se hetimet po përparojnë, dhe unë besoj se shumë shpejt prokuroria e krimeve të rënda do të arrijë të identifikojë se cilët kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.