Në Shqipëri Presidenti Ilir Meta njoftoi sot se ka vendosur të shtyjë datën e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit. Njoftimi i tij u bë pak përpara nisjes zyrtare të protestës së opozitës sot në mbrëmje.
Presidenti ka bërë të ditur vetëm anullimin e dekretit me anë të të cilit ai kishte shpallur 30 qershorit si datë, duke shpjeguar se “ditën e hënë, datë 10 qershor, në mëngjes, Institucioni i Presidentit të Republikës do të bëjë publikisht me dije të gjithë argumentat shteruese kushtetues, ligjorë dhe logjikë që çuan në marrjen e këtij vendimi”.
Në deklaratën e shpërndarë nga zyra e tij, zoti Meta shpjegon arsyet e vendimit të tij. Sipas deklaratës, ky vendimi ka ardhur si pasojë e “shqetësimit të thellë për situatën kritike të krijuar në vend si pasojë e mos-reflektimit të asnjërës palë”, dhe se për këtë ai “ka patur parasysh domosdoshmërinë e çtensionimit urgjent të situatës dhe të rrezikut të përshkallëzimit të paparashikueshëm të konfliktit në vend, se ka marrë përgjegjësinë e lartë kushtetuese e institucionale, dhe i bindur se mbrojtja e parimeve kushtetuese është më e rëndësishme se çdo afat ligjor,
si Kreu i Shtetit dhe duke iu përmbajtur betimit për t’i shërbyer ruajtjes me çdo kusht të stabilitetit, paqes sociale dhe unitetit kombëtar, dhe se ka vetëdijen e plotë se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse.
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kriter kryesor i Kopenhagës dhe në kushtet aktuale, për mungesë përgjegjësie të të dy palëve, po shkojmë drejt votimeve një partiake. Në këtë mënyrë minohet çdo mundësi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, dëmtohet imazhi si vend anëtar i NATO-s dhe cenohet kryesimi i OSBE-në për vitin 2020”.
Në deklaratën e tij, presidenti fton “të gjithë aktorët e përgjegjshëm vendas dhe ndërkombëtarë të bashkojnë kontributet konstruktive për rivendosjen urgjent të dialogut të pazëvendësueshëm politik dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë dhe që i shërben të ardhmes evropiane të Shqipërisë”.