Në Shqipëri një sasi e madhe parashë, afro 10 milionë euro, dyshohet të jenë grabitur pasditen e sotme në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës.
Gjithshka ka ndodhur brenda një kohe shumë të shkurtër, kur një automjet me tre persona në bord, ka thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, dhe i është afruar me shpejtësi avionit të linjës “Austrian Airlines”, ku sapo ishin ngarkuar për t’u transferuar jashtë vendit, paratë e disa bankave. Ata kanë hipur në barkun e avionit, në zonën e bagazheve, duke marrë prej andej sasitë e mëdha të parave.
Sipas dëshmive të tjera, grabitësit kanë hyrë lehtësisht në mjediset e aeroportit, duke qenë se automjeti i tyre mbante mbishikrimin “Hetimi tatimor”, që dyshohet të jetë falsifikuar.
Ata kanë përdorur më pas maskat, ndërsa kanë qenë të veshur me uniforma ushtarake, dhe të armatosur me kallashnikovë, pistoleta dhe granata dore. Gjatë largimit nga aeroporti, ndërkohë që është dhënë alarmi për grabitjen, ata kanë hasur në një patrullë të Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë, me te cilët ka patur dhe një shkëmbim zjarri.
Një prej grabitësve ka mbetur i vrarë me një plumb në kokë. Të tjerët kanë mundur të largohen, duke i vënë më pas flakën automjetit me të cilin udhëtonin.
Ndërsa njësi të shumta janë vënë në ndjekje të grabitësve, mësohet se janë lëshuar 4 urdhëra ndalimi ndërsa 40 persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje.