Në Shqipëri, Komisioni i Ankimimit dhe Sanksioneve hapi sot kutitë e materialeve zgjedhore për 24 qendra votimi në Berat. Hapja e kutive u bë pas ankimit të paraqitur nga Lëvizja socialiste për Integrim, (LSI) e cila ka kërkuar shpalljen të pavlefshme të votimit në këto qendra si dhe ripërsëritjen e votimit në të gjithë Qarkun e Beratit, ku vetëm për disa dhjetra vota, ajo nuk mundi të siguronte një mandat.
Nga hapja e materialeve zgjedhore janë vënë re parregullsi të ndryshme në disa qendra votimi, si mungesa e raportit të mbylljes së pajisjes së idetifikimit elektronik, mungesa e një procesverbali për kalimin në proces votimi manual, apo diku tjetër mungesa e raportit të hapjes dhe mbylljes së pajisjes së identifikimit elektronik, si dhe një tentativë për votim të dyfishtë në një qendër votimi.
Seanca përmbyllëse për ankimimin e LSI-së pritet të zhvillohet ditën e mërkurë, kohë gjatë së cilës edhe vetë Komisioni i Ankimimit dhe Sanksioneve do të vendosë se çfarë do të bëjë më tej dhe nëse ka hapësira për të vijuar me një hetim më të thelluar që do të mund të çonte në rinumërim të votave të 24 qendrave për të cilat ka patur ankimim.
Në mbrëmje Partia Demokratike publikoi një dokument që vetë Komisioni i Ankimimeve mori në zotërim, sipas të cilit rezulton se në Berat, nga kryqëzimi i të dhënave të votuesve, rezulton se 19 persona, kanë votuar disa herë, pjesa më e madhe të paktën dy herë, ndërsa ka mes tyre që kanë votuar dhe më shumë. Në total bëhet fjalë për 53 vota të hedhura nga 19 persona.
Më pas dhe LSI, përmes Sekretarit të Përgjithshëm Endrit Braimllari u shpreh se “vetëm në Berat u vërtetua se të paktën 19 shtetas kanë votuar 53 herë, skemë kjo e cila është përdorur në të gjitha qarqet e vendit duke manipuluar procesin e zgjedhjeve. Nga hapja e kutive, u pa qartë se ka më shumë fletë votimi sesa vetë numri i votuesve. Pra, qartazi kutitë janë mbushur duke përdorur çdo strukturë në funksion të qeverisë”.