Zëri i Amerikës: Hera e parë që Kuvendi ndërmerr një hap kaq ekstrem ndaj Presidentit…

Në Shqipëri Partia Socialiste njoftoi sot se ka vendosur të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Është hera e parë që në Shqipëri, parlamenti do të ndërmarrë një hap të tillë ekstrem, i cili pason vendimin e Kreut të Shtetit për të anuluar datën e zgjedhjeve vendore të parashikuara për më 30 Qershor.

Në përfundim të mbledhjes së kryesisë së Partisë, ministrja për Marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali deklaroi se me vendimin e tij Presidenti ka kryer ‘një akt brutal ndaj Republikës’. Sipas zonjës Spiropali: ‘ne si Kryesi mendojmë se Meta ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë pozicion’.

Një qëndrim i paralajmëruar një ditë më parë dhe nga vetë kryeministri Edi Rama , sipas të cilit vendimi i Kreut të Shtetit është ‘një akt që politikisht është vetëvrasje, ligjërisht është nul, nuk ekziston dhe moralisht është turp që s’ka më turp’, ndërsa shtoi se ‘Ilir Meta e ka shkruar fatin e tij si një president që e ka humbur të drejtën të qëndrojë në këtë zyrë’

Spiropali shpjegoi se procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës ‘do nisin menjëherë në sencën parlamentare të së enjtes. Eshtë detyra jonë politike për të mbrojtur Kushtetutën, Rendin kushtetues dhe Republikën’.

Procedurat për shkarkimin e Presidentit nisin me kërkesën e një të katërtës së deputetëve, ose 36 prej tyre, ndërsa vendimi duhet të merret me të paktën dy të tretat ose 93 vota, të cilat shumica e vetme nuk i ka.

Sidoqoftë, edhe nëse parlamenti e aprovon, fjalën e fundit do të duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese, e cila për momentin është jashtë funkzionit, me vetëm 1 nga 9 anëtarët e saj. ‘Pavarësisht kësaj, kjo nuk na heq të drejtën për të nisur procedurat’, deklaroi zonja Spiropali.

Artikulli paraprakParalajmërimi i frikshëm, Edi Rama po fut vendin në luftë civile!
Artikulli tjetër“Koha Jonë”: Ky kryeministër t’i rruajë ‘trapin’ Presidentit!