Zëri i Amerikës: Zoti ministër ju prezantuat tarifat e reja për atë që njihet si rruga e kombit, që pritet të nisin të zbatohen rreth mesit të muajit shtator. Në tarifat e reja, ju keni propozuar ulje të konsiderueshme në raport me atë që u ofrua më parë.
Por pse duhet një banor i Kukësit të paguajë qoftë dhe 100 lekë për një rrugë, kur qeveria nuk ofron një rrugë alternative.
Po marr si shembull SHBA-në, askush nuk të detyron të kalosh në një rrugë me tarifë, përveçse si zgjedhje, pasi ekzistojnë dhe rrugët alternative pa pagesë për të mbritur në destinacion.
Damian Gjiknuri: Së pari, është fakti që nuk kemi një rrugë dinjitoze alternative, sepse aty ka një rrugë alternative, nuk është e izoluar, ndaj ne vendosëm të bëjmë një përjashtim që është kundër praktikave, pra, të bëjmë një përjashtim, për qytetarët e qarkut të Kukësit.
Ky përjashtim nuk vlen për të tjerët. Pse? Ajo rrugë ka kosto shumë të larta për mirëmbajtje dhe ka nevojë për investime kapitale. Është e pamundur që qeveria shqiptare ta financojë këtë rrugë në pafundësi.
Ne po marrim risqet tona financiare nga buxheti i shtetit.
Zëri i Amerikës: Po kush e mban përgjesinë për koston e këtij konçesioni në buxhetin e shtetit, që llogaritet në rreth 50 milionë euro?
Damian Gjiknuri: Buxheti i shtetit, nisur edhe nga sugjerimet e institucioneve ndërkombëtare, mendoi që ta koncensionojë këtë rrugë përpara se unë të bëhesha ministër.
Kanë qenë kontrata të gjetura e të lidhura me kohë. Megjithatë, për shkak të sensibilitetit çdo qeveri reagon. Kanë qenë më të thjeshta më parë, dhe nuk ka patur ndonjë rezistencë.
Në momentin që ndodhën tensionet, qeveria reflektoi. Edhe kryeministri: Po. Mbase nuk e kemi studiuar mirë efektin që mund të ketë mbi popullatën e Kukësit. Këtë kosto do ta paguajnë taksapaguesit e tjerë shqiptarë.
Zëri i Amerikës: Zoti ministër si u përgjigjeni shqetësimeve të përfaqësuesve vendorë dhe organizatorëve të protestës së marsit, se janë mbajtur jashtë procesit të negociatave për tarifat e reja.
Damian Gjiknuri: Jo. Ne jemi konsultuar me bizneset e Kosovës dhe të Kukësit, dhe me qytetarët e Kukësit.
Kemi vënë tarifat më minimle të mundshme. Për njerëzit në nevojë është transporti publik, i cili nuk ka asnjë impakt financiar nga kjo.
Së dyti, për qytetarët e tjerë, që kanë makina private, me lëvizshmëri të shpeshtë, këto tarifa janë minimale.Më shumë impakt ka luhatja e kostos së karburantit nga lëvizjet e tregut. Së treti, për gjithë përdoruesit e shpeshtë, qoftë të Shqipërisë, të Kosovës dhe të biznesit, do të kemi një ulje në bazë të një shkalle që e kemi bërë publike.
E fundit, dua të them që nuk ka mënyrë tjetër për të mbajtur asete të shtrenjta publike. Përdoruesit duhet të kontribuojnë, ndryshe buxheti i shtetit do të thahej vetëm nga gjithë këto investime që janë bërë në infrastrukturë.