Zëri i Amerikës i është përgjigjur Ramës me një gjuhë të fortë politike duke u shprehur se mbështesin demokracinë dhe lirinë në Shqipëri duke lënë të kuptohet se kreu i qeverisë përfaqëson anën e kundërt të demokracisë dhe lirisë në Shqipëri.
Drejtori për Europën dhe Azinë i Zërit të Amerikës, Elez Biberaj, ju përgjigj kryeministrit Edi Rama, pas etiketimit prej këtij të fundit, si kazan edhe për Zërin e Amerikës.
Biberaj garantoi se investigimi për implikimin e deputetëve dhe shefes së kabinetit të kryemsitrit shqiptar, në biseda përgjimesh, për punësime, është i saktë ashtu si të gjitha lajmet e publikuara nga kjo media.
Denoncimi i Zërit të Amerikës zbuloi se si zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste përdornin vendet e lira të punës në administratën e burgjeve për të punësuar militantët e tyre.
Më 30 prill 2018, drejtori i Përgjithshëm në atë kohë i Burgjeve, Arben Çuko mori një telefonatë nga kabineti i kreut të qeverisë.
Biseda bëhej me porosi të drejtoreshës së kabinetit, Vali Bizhga dhe kishte në fokus punësimin e një vajze. Çuko, i cili ndodhej nën përgjim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pohon në bisedë se e kishte firmosur punësimin më herët atë ditë.
“Fola me zonjën Bizhga para gjysmë orë dhe i thashë se u fut Vitjona në punë,” citohet të pohojë ai në transkriptin e zbardhur. Janë disa biseda të publikuara nga Zëri i Amerikës, por Rama i ka rënë shkurt duke e quajtur edhe VOA-n, thjesht “kazan”.
“Erdhi dita që Zëri i Amerikes të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë llogjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie”, shkroi Rama.
Por një ditë më pas Elez Biberaj nuk ia la mangut: “Shërbimi shqiptar i Zërit të Amerikës ka siguruar vazhdimisht raportime të sakta dhe të paanshme rreth zhvillimeve në Shqipëri dhe unë garantoj plotësisht integritetin dhe gjykimin e lajmit. Shërbimi shqiptar vijon me krenari misionin e prodhimit të gazetarisë së vlerave në mbështetje të demokracisë dhe lirisë dhe t’i sigurojë audiencës së tij lajme dhe informacione të sakta, objektive dhe të balancuara në mënyrë që ata të bëjnë zgjedhjet e duhura”, u shpreh për Ora Neës, Drejtori për Evropën dhe Euroazinë i Zërit të Amerikës.