Mijëra studentë rinisën sot për të gjashtën ditë tubimin e tyre të protestës para ministrisë së arsimit, duke kërkuar përgjysmim të tarifave dhe rregullime të tjera në jetën universitare.
Ata thanë se kërkesat e tyre janë të panegociueshme dhe askush nuk është ngarkuar të bisedojë me kryeministrin në emrin e tyre.
Por në të njëjtën kohë, kryeministri Edi Rama nisi një komunikim ne facebook, ku tha se dialogu është i nevojshëm dhe se priste prej 3 ditësh të dialogonte me ta.
“Nuk është Shqipëria e ultimatumeve dhe britmave, por e bisedave për të zgjidhur kërkesat. Jam dakord se ka probleme me tarifat, por qëllimi i përbashkët është ta zgjidhim” – tha zoti Rama.
Ai renditi një seri statistikash në dobi të arsimit, duke krahasuar me një mandat më parë, si e gjeti shumica e tij sistemin arsimor.
Edhe ambasadori i BE-së Luigi Soraca tha se po ndjek me vëmendje protestën e studentëve dhe beson se dialogu me qeverinë është i nevojshëm.
“VOA”