Zëri i Amerikës ka zgjedhur një foto të veçanta nga protesta e sotme të opozitës. Bëhet fjalë për piramidën e krimit, të oligarkëve dhe të drogës që u dodh para Kryeministrisë.
Shkrimi iVOA
Në Shqipëri, opozita zhvilloi sot protestën e radhës e cila nisi para parlamentit dhe u mbyll pranë godinës së qeverisë. Ndërkohë në sallë, shumica u përfshi në debate me përfaqësuesit e opozitës për reformën zgjedhore, pas vendimit për të shtyrë me një muaj Komisionin e Reformës në pritje që Partia demokratike dhe Lsi të pranojnë ftesën për të përmbyllur këtë proces, i cili është dhe një ndër rekomandimet e Këshillit europian për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë.
Paralelisht me nisjen e seancës së radhës në sallën e parlamentit, jashtë, në hyrje të tij mbështetësit e opozitës u mblodhën sërish për të protestuar. Këtë herë, protesta dominohej nga të rinjtë, ndërkohë që ishin të shumtë ata që mbanin duar parullat vetëm me fjalën “IK”, drejtuar kryeministrit Edi Rama.
Edhe sot nuk munguan momentet e tensionit ndërsa një grup protestuesisht u përpoqën disa herë të çanin kordonin e policisë në hyrje të parlamentit. Manifestuesit u spostuan më pas drejt bulevardit, ndërsa mbanin në duar një piramidë, në majën e së cilës ishte shkruar emri i kryeministrit e që simbolizonte piramidën e krimit dhe të korrupsionit që sipas opozitës drejtohet nga qeveria.
Pranë selisë së Qeverisë asaj ju vu më pas flaka. Si zakonisht mbyllja e protestës u shënua me rikthimin e drejtuesve të opozitës në oborrin e selisë së Partisë Demokratike. Në sallën e parlamentit deputetët që nuk kanë pranuar lënien e mandatit dhe të tjerët që kanë zëvendësuar kolegët e tyre të opozitës, të cilët janë dorëhequr, u përfshinë në debate me shumicën për reformën zgjedhore.
Debatet u nxitën nga propozimi i djeshëm i socialistët Damian Gjiknuri për të shtyrë me një muaj Komisionin e Reformës, për t’i lënë mundësi opozitës që t’i bashkohet këtij procesi. Por sipas deputetes Rudina Hajdari, shumica duhet të komunikojë tanimë me përfaqësuesit e opozitës që janë në sallën e parlamentit: “Atë Komision e keni bërë me ata deputetë që keni pasur.
Ne nuk e dimë se çfarë keni folur me ta, me çfarë propozimesh ata kanë ardhur dhe çfarë duan të bëjnë më këtë reformë zgjedhore. Ky është një parlament i ri dhe ju duhet ta pranoni këtë realitet. Duhet ta pranoni që këtu do të vijnë propozime të reja. Duhet të pranoni që atij komisioni i ka mbaruar mandate në 21 shkurt 2019”.
Kryeministri Edi Rama nga ana e tij, shpjegoi se propozimi për shtyrjen është thjesht shenjë e një vullneti të mirë për të përmbyllur të vetmin proces të hapur me opozitën, duke saktësuar se megjithatë nuk do pritet pa fund, ndërsa kujtoi se ka qenë këmbëngulja e Partisë Demokratike që Reforma zgjedhore të përfshihet në rekomandimet e Këshillit europian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë në qershor:
“Ne do t’i presim për aq kohë sa pret puna. Nëse nga ana e Komisionit Europian nga ana e Bashkimit Europian do të kuptojmë se ligji zgjedhor duhet kaluar këtu, përpara sesa të merret vendimi për çeljen e negociatave, sepse është i shkruar në tekst, ne do ta kalojmë këtu dhe do t’i referohemi vetëm rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, pa përfshirë elementët e tjerë”.
Një ditë më parë Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn duke folur në parlamentin euriopian tha se “do të bëjmë rekomandimin për Maqedoninë e Veriut, gjithashtu Shqipërinë, që këto vende duhet të nisin fazën parapërgatitore për çeljen e negociatave për anëtarësim dhe kjo do të bëhet zyrtarisht”.
Pavarësisht rekomandimit vendimi i mbetet shteteve anëtare. Situata politike në Shqipëri natyrisht që nuk ndihmon në një vendim pozitiv, ndërkohë që rezultatet e zgjedhjeve europiane do të jenë gjithashtu përcaktuese në pozicionin që do të marrin vendet anëtare.