Zëri i Amerikës jehonë protestës së studentëve: Rama flet pa lidhje…

Studentët e universiteteve publike po vazhdojnë sot për të 13-tën ditë, protestën e tyre me 8 kërkesa ekonomike dhe akademike.
Prej shumë ditësh është e njëjta gjendje; kryeministri kërkon dialog dhe shpreh dyshime se ata po i përdor opozita, ndërsa studentët thonë se duan kërkesat e tyre.
Ata kërkojnë të përgjysmohen tarifat universitare, të rritet buxheti për arsimin dhe të marrin pjesë në bordet e menaxhimit të fakulteteve dhe në zgjedhjen e drejtuesve të universiteteve.
Studentëve të universiteteve të Tiranës iu bashkuan edhe grupe studentësh nga universitetet e qyteteve të tjera, Durrësi, Elbasani, Shkodra.
Protestuesit kanë ndërprerë studimet qysh prej dy javësh dhe thonë se kërkesat e tyre janë të panegociueshme dhe se nuk do të bisedojnë me asnjë prej autoriteteve shtetërore dhe universitare.
Kryeministri Edi Rama edhe sot komentoi në rrjetet sociale se protestuesit para zyrave të tij ishin veprimtarë të opozitës dhe se ai priste të dialogonte me përfaqësues të studentëve.
Zoti Rama mori pjesë në një mbledhje rutinë me drejtues të institucioneve kryesore të shtetit lidhur me luftën ndaj krimit të organizuar, ku mbajti edhe një fjalë të shkurtër pa ndonjë lidhje me protestën e mijëra studentëve./VOA

Exit mobile version