ZËRI I AMERIKËS/ Kjo është shuma që SPAK-u sekuestroi në llogaritë bankare të ish ministrit Ilir Beqaj dhe bashkëpunëtorëve të tij

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi sekuestro preventive mbi disa llogari bankare dhe shuma mbi 200 mijë dollarë në monedha të ndryshme, që u përkasin ish ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe pesë bashkëpunëtorëve të tij, të cilat cilësohen si “produkte të veprës penale” në çështjen e abuzimeve me fondet e BE-së në agjencinë SASPAC.

Krahas shumave të sekuestruara në llogaritë rrjedhëse, depozita me afat dhe monedha cash të personave nën hetim Ilir Beqaj, Gazmend Haxhia, Elton Marini, Ermal Kurtullaj, Bledar Leka dhe Bjona Zijaj, po me këtë vendim u sekuestruan edhe mbi 19 për qind të aksioneve në shoqërinë tregtare “Albanian Food and Hospitality Services” sh.p.k., si dhe tre automjete në pronësinë e Kurtullajt dhe Marinit.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po vazhdon hetimet për persona apo fakte të tjera penale për procedimin penal nr. 190 të vitit 2023, ku gjashtë personat e përfshirë deri tani dyshohen për korrupsion aktiv e pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë, mosdeklarim dhe fshehje e pasurive, mashtrim dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera e ankande publike.

Ish ministri i Shëndetësisë Iir Beqaj është në arrest me burg nga fillimi i korrikut, ndërsa Gjykata e Posaçme e Apelit hodhi poshtë në fillim të këtij muaji kërkesën e tij për një masë më të lehtë sigurie në këmbim të garancive pasurore.

Ai drejtonte, nga viti 2021, deri nëntorin e kaluar kur dha dorëheqjen, Agjencinë e Koordinimit të Ndihmës së Huaj (SASPAC), kohë kur SPAK-u dyshon se ai u përfshi në një skemë korrupsioni për përfitime nga fonnet e kësaj agjencie.

Zoti Beqaj u arrestua në korrik krahas dy bashkëpunëtorëve të afërt Ermal Kurtullaj dhe Afred Nikolla, ndërsa për katër bashkëpunëtorë të tjerë u dhanë masa më të lehta sigurie.

Prokuroria e Posaçme dyshon se gjatë viteve 2022-23 drejtuesi i atëhershëm i SASPAC-ut Ilir Beqaj ka kryer në bashkëpunim me Kurtullajn “procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregulloret”, ndërsa rendit së paku tetë shërbime të prokuruara “me procedura prokurimi jo të rregullta dhe me fitues të paracaktuar”.

Prokuroria thekson se “fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë kohë më parë se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese”, ndërsa gjithë dokumentat për garat e shpallura janë firmosur nga zoti Beqaj.

Ai dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e vet nga viti 2020 e më pas, duke fshehur interesat e tij pasurore në restorantin “Gzona” në qendër të kryeqytetit, interesa të cilat i ka ushtruar përmes Ermal Kurtullaj, i cili ishte punësuar aty në mënyrë të parregullt.

Prokurorët dyshojnë se në këtë restorant transferoheshin, në formë pagesash për shërbime, paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme nga organizimi i veprimtarive të ndryshme. Nga hetimet dyshohet se restoranti përdorej edhe si një vend ku mbaheshin veprimtari, të cilat nuk deklaroheshin, duke përdorur më pas emra personash fizikë apo shoqërish, të cilat lëshonin fatura fiktive mbi shpenzimet e kryera në këtë restorant.

Po ashtu dyshohet se zoti Beqaj ka fshehur edhe blerjen e një automjeti 5 vjet më parë, të cilin e regjistroi në emrin e bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, Ermal Kurtullaj.

Kjo është çështja e dytë për të cilën ish ministri Beqaj hetohet nga SPAK-u. Çështja tjetër, ku ai akuzoet për “shpërdorim detyre”, ka të bëjë me koncensionin 10 vjeçar prej afro 100 milionë euro të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, për të cilën janë arrestuar ish zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe sipërmarrësi Ilir Rrapaj. /VOA/

Exit mobile version