“Zëri i Amerikës”: Kryeministri ka kapur mediat

Në Tiranë janë larguar këto ditë nga puna dy drejtues të njohur në mediat shqiptare; Armand Shkullaku nga TV ABC NEWS dhe Alfred Lela nga botimet MAPO. Opinioni publik e ka ndjekur me shqetësim largimin nga detyra të dy gazetarëve të njohur, ndërsa ata vetë pohojnë se politikat editoriale të mediave të tyre po ndryshojnë. Në pamje të parë largimet nga puna të dy drejtuesve të mediave Armand Shkullaku dhe Alfred Lela janë në përfundim apo ndërprerje të thjeshta të kontratave të punës. Por ata pohojnë se prapa kësaj rutine qëndrojnë përpjekje të pronarëve të mediave për të ndryshuar politikat editoriale pro qeverisë dhe në dëm të parimeve gazetareske. “Gjurmët e kësaj lëvizjeje të çojnë te një ujk, i cili zakonisht është i madh, me pushtet dhe me para”, thotë ish-drejtuesi i botimeve MAPO, Alfred Lela. Ai shtoi se, brenda një jave në radhët e medias u shfaq në këto dy raste vetëm maja e ajsbergut e një morie problemesh të shtypit shqiptar dhe mekanizmave politike që e trysnojnë atë. Zoti Lela tha se, gjatë bisedës për një kontratë të re pune, pas skadimit të kontratës së fundit, ai vendosi të mos pranojë kërkesat për një politikë të re editoriale nga pronari, edhe pse ai kërkoi të vazhdohej me një profil sadopak opozitar. Ndërsa drejtuesit të TV ABC NEWS, Armand Shkullaku, me një përvojë 25- vjeçare në shtypin shqiptar, u largua pas 4 vjetësh me një ndërprerje kontrate, pasi pronari i grupit mediatik kërkoi një politikë të re editoriale dhe menaxheriale. “Bashkë me kolegët u përpoqa disa vjet që ta bënim TV ABC NEWS një ishull të lirisë, të profesionalizmit, për aq sa ia arritëm”, thotë zoti Shkullaku. Ai vetë tha se nuk pati presione apo negociata, por thjesht iu komunikua se stacioni do të ndryshojë menaxhimin dhe qëndrimin editorial. Zoti Shkullaku shtoi se, klima ndaj mediave është e rëndë prej disa vitesh dhe gazetarët punojnë në kushte të vështira. “Pa diskutim që ka një klimë kur i pari i vendit, pra kryeministri, i quan mediat “kazanë”, “baltë”, “moçal” etj., etj. Ka pra, si të thuash, një strategji për asgjësimin e çdo mendimi të lirë, çdo hapësire të pavarur”, tha zoti Shkullaku. Dy gazetarët e njohur shprehën shqetësim rreth faktit që zërat kritikë po shmangen me një mënyrë a një tjetër, dhe mediat proqeverisë po krijojnë realitete virtuale, që po largohen çdo ditë e më tepër nga jeta e vërtetë e qytetarëve.

VOA.al

Exit mobile version