Zëri i Amerikës: PD publikon dokumenta për të shkuarën kriminale të kryebashkiakut të Vorës, Rama hesht!

Në Shqipëri Partia Demokratike publikoi sot disa dokumente të autoriteteve greke, sipas të cilave kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku është arrestuar në Greqi nën emrin Jorgo Toto, për falsifikim monedhash dhe pasi është lënë i lirë i është shmangur gjykimit duke u kthyer në atdhe. Zoti Kajmaku, nga ana e tij, mohoi menjëherë akuzat, duke u shprehur se i qëndron deklaratave të mëparshme se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar apo i dëbuar nga Greqia apo ndonjë shtet tjetër i Bashkimit Evropian.

Pasi prej ditësh ka drejtuar publikisht akuza ndaj kryebashkiakut socialist të Vorës, dhe i ka kërkuar Prokurorisë nisjen e verifikimeve, Partia demokratike nxorri sot dokumentat që sipas saj vërtetojnë përfshirjen e zotit Kajmaku në një krim, të cilin ai nuk e ka deklaruar në formularët e dekriminalizimit. “Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, i datëlindjes 1971, banues në Tiranë Shqipëri, është arrestuar në flagrancë në shtetin grek, në zonën e Janinës, më datë 14.01.2003 për veprën penale “Përdorim dhe shpërndarje kartmonedhash të falsifikuara”.

Ai është arrestuar në flagrancë, duke u arratisur nga territori i shtetit grek. Krimi është kryer gjatë një transaksioni për blerjen e fidanëve dhe bimëve të tjera, dhe Agim Kajmaku ka përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parashivi”, deklaroi Sekretari i Pëgjithshëm të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi, duke treguar një vendim të Prokurorisë dhe Gjykatës së Janinës, të Qershorit 2003.

Sipas drejtuesit demokrat, zoti Kajmaku, që në atë kohë përdorte identitet tjetër, atë të Jorgo Totos, është lënë më detyrim paraqitje dhe vetëm pas disa muajsh autoritetet greke kanë urdhëruar arrestin më burg, por në ndërkohë zoti Kajmaku, ishte kthyer në Shqipëri. “Sipas legjislacionit penal grek, gjykata ka vendosur pezullimin e gjykimit derisa ky shtetas të arrestohet ose t’i gjendet një adresë e saktë për t’i komunikuar akuzën.

Sipas ligjit grek në këtë lloj gjykimi, shtetasi duhet të jetë vetë prezent në gjykim, për shkak se bëhet fjalë për krime të rënda. Më duhet të theksoj edhe një herë, se urdhri i arrestit të gjykatës greke nuk është ekzekutuar, pasi shtetasi Jorgo Toto nuk është gjendur në Greqi. Sipas dokumentacionit zyrtar të autoriteteve greke rezulton e provuar se shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto i është shmangur drejtësisë greke për përballjen me një akuzë, që parashikon të paktën 10 vjet burg.

Ai ka të paekzekutuar një masë arresti me burg dhe nuk ka marrë kurrë pafajësinë mbi akuzën e ngritur nga Prokuroria greke. Pra, praktikisht është edhe sot nën procedim penal nga autoritetet greke, me një masë “arresti në burg” në fuqi”, theksoi zoti Bardhi.

 

Exit mobile version