Zëri i Amerikës: Përleshje në Tiranë me policinë, Rama tensionoi protestuesit

Në Tiranë protesta e sotme e banorëve të prekur nga projekti për zgjerimin e Unazës së re, në pjesën e njohur si “zona e Astirit”, u kthye në një përleshje me forcat e policisë para selisë së parlamentit. Shashka dhe tymuese të shumta u hodhën drejt oborrit të parlamentit ku ishin rreshtuar forca të shumta të policisë, të cilat sprapsën disa përpjekje të protestuesve për të çarë me forcë kordonin e krijuar prej tyre. Janë 11 punonjës policie të cilët rezultojnë të lënduar nga goditje me mjete të forta, apo lëndë plasëse. Një prej tyre rezulton të ketë humbur gishtat e njërës dorë. Në spital kanë përfunduar ndërkohë dhe disa nga protestuesit.
Tensioni përpara parlamentit erdhi e u rrit ndërsa në sallë kryeministri Edi Rama duke folur për e zgjerimit të Unazës së re, ishte i prerë në qëndrimin e tij lidhur me zgjidhjen e ofruar për largimin e banorëve që preken. Sipas shifrave zyrtare bëhetë fjalë për afro 240 objekte me së të cilave, banesa por dhe mjedise shërbimi. Afro gjysma rezultojnë të jenë ndërtime pa leje dhe në proces legalizimi. Kryeministri deklaroi se për ata që kanë godinat me leje do të bëhet shpronësi i plotë sipas ligjit, ndërsa për banesat pa leje do të ofrohet 3 vjet qera. Zoti Rama tha se mes atyre që kanë ndërtime pa leje ka dhe nga ata që rezultojnë të kenë të tilla dhe në zona të tjera të Tiranës apo qytete të tjera të vendit.
Kryeministri reagoi më pas dhe për ngjarjet e dhunshme gjatë protestës. Përmes një postimi në Tëitter ai u shpreh se “dhuna ndaj policëve në emër të paligjshmërisë, s’do tolerohet! U bëj thirrje atyre që kanë dokumenta prone a vetëm strehën pa leje:Distancohuni nga zaptuesit profesionistë dhe profesionistët e politikës qorre të shpifjeve e të rrëmujës!Merrni ç’ju jep ligji e largohuni nga rruga”.
Pas vizitës në spital të policëve të plagosur, zëvendës ministri i Brendshëm Sandër Lleshi u shpreh se “është për të ardhur keq, është e papranueshme, është e pakuptueshme, që në një ditë të tillë, krejt normale, të na ndodhi një ngjarje anormale, të goditet Policia e Shtetit në krye të detyrës. Konstatojmë për fat të keq, se ajo sot është goditur nga qytetarë të papërgjegjshëm, të cilët në shkelje të plotë të ligjit, ngrenë dorën mbi Policinë e Shtetit. Po ashtu Policia është goditur edhe nga përfaqësues të caktuar politikë, të cilët po ashtu në kushtet e papërgjegjshmërisë qytetare dhe politike, inspirojnë dhunë ndaj forcave të Policisë së Shtetit”. Zoti Lleshi ju drejtua me një thirrje “ edhe përfaqësuesve politikë të caktuar, të cilët mundohen të krijojnë kapital politik nga një konflikt civil, që të distancohen nga dhuna dhe nga aktet e papërgjegjshme dhe të vihen në mbështetje të Policisë”.

Exit mobile version