Në Shqipëri, Kreu i Shtetit Ilir Meta njoftoi sot se ambasadori i Osbe-së në Tiranë Bernd Borschardt nuk është më i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës.
Këtë vendim zyra e zotit Meta ja ka bërë të ditur përmes një letre zyrtare, Asamblesë parlamentare të OSBE-së, Pranisë së kësaj organizate në Tiranë si dhe Protokollit të Shtetit. Shkak, sipas letrës, është se ambasadori Borchardt “vuri në diskutim dekretin e Presidentit për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajit Qershor”.
Ndërsa kishte caktuar fillimisht mbajtjen e zgjedhjeve në 30 Qershor, në fillim të po këtij muaji, në momente të një tensioni të fortë politik, zoti Meta anulloi datën, për të firmosur më vonë, një datë të re 13 Tetorin.
Dekreti i tij nuk u mor në konsideratë dhe zgjedhjet u zhvilluan në 30 Qershor, nën monitorimin si të vëzhguesve të ODIHR-it ashtu dhe të përfaqësive të ndryshme diplomatike në Tiranë.
Një tjetër arsye për vendimin e marrë nga presidenti Meta, është dhe incidenti që ambasadori Borchardt pati një muaj më parë kur befas u gjet në mesin e thirrjeve “Rama ik” dhe “Shame on you” në rrugën pranë drejtorisë së policisë së kryeqytetit, ku familjarët e disa të arrestuarve po protestonin për lirimin e njerëzve të tyre.
Ai u kundërpërgjigj duke ngritur gishtin e mesit të njërës dorë. Gjest për të cilin ai kërkoi ndjesë publike 24 orë më vonë. Prania e OSBE-së në Tiranë, deri pasdite vonë, nuk pati ende një reagim për vendimin e presidentit Meta.