Zëri i Amerikës: Pse qeveria anulloi koncesionin e Thumanë-Kashar, ishte në negociata, por…

Në Shqipëri, ministrja e re e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi sot ndërprerjen e procedurës së Partneritetit Publik Privat (PPP) për ndërtimin e aksit rrugor Thumanë-Kashar.
Për këtë projekt qeveria ishte në negociata për kontratën me kompaninë fituese “Gener 2”, të biznesmenit Bashkim Ulaj, i cili dyshohet se qëndron pas shoqërisë DH Albania, e përfshirë në skandalin e falsifikimit të dokumentave në dy gara publike që kapnin një vlerë prej 30 milion eurosh.
Rruga Thumanë Kashar, ishte pjesë e programit “1 miliard euro” të shpallur nga qeveria për ndërtimin e veprave publike sipas formulës së Partneritetit Publik Privat.
Fillimisht për ndërtimin e këtij aksi rrugor, 20,9 kilometra e gjatë, pati një ofertë të pakërkuar nga kompania “Gener 2”. Autoritetet shpallën më pas një garë, të cilën e fitoi po kjo kompani e cila merrte përsipër ndërtimin, për 225 milion euro, një vlerë mjaft e lartë e cila shkaktoi jo pak debate.
Vendimi i sotëm i ministrisë vjen ndërkohë që palët po negocionin kontratën mes tyre, por duket se ndikimin kryesor e ka patur fakti që kompania “Gener 2”, zotërohet nga biznesmeni i njohur Bashkim Ulaj, për të cilin ka dyshime të forta se qëndron pas kompanisë DH Albania, që përmes dokumentave të falsifikuara, fitoi dy gara publike për një vlerë prej 30 milion eurosh në total, atë për ndërtimin e një pjese të Unazës së re së Tiranës si dhe një projekt për një linjë energjitike, me Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST).
Sot dhe administratori i OST, Klodian Gradeci, dha dorëheqjen “për arsye personale”.

Javën e shkuar, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor shqiptar, Arim Qendro, ai u thirr për të dhënë shpjegime në Prokurorinë e Tiranës, e cila po heton mbi çështjen, si për falsifikimin e dokumentave nga DH Albania ashtu dhe për rolin e institucioneve shqiptare të përfshira.
Ministrja Balluku tha se qeveria nuk ka hequr dorë nga ndërtimi i këtij aksi shumë të rëndësishëm dhe për vendimin e ndërprerjes së procedurës me GENER 2 dha një tjetër arsye: “Hapësirën e konsiderueshme fiskale të këtij projekti qeveria do ta dedikojë në funksion të zbatimit të angazhimeve për Paktin e Universitetit, në fushën e arsimit”, deklaroi zonja Balluku
Por formula e PPP-ve parashikon që ndërtimi i rrugës të kryhet nga fondet private, ndërsa qeveria ta shlyejë pagesën me këste për një periudhë 13 vjecare, dhe në raste të ngjashme, kësti i pare, përgjithësisht, parashikohet të paguhet pas kryerjes të së paktën 25 përqind të punimeve. Dhe në fakt në buxhetin e vitit 2019, nuk është parashikuar asnjë fond për pagesën qoftë dhe të një kësti të vetëm për projektin e rrugës Thumanë-Kashar që do të duhej të ndërtohej nga “Gener 2”.
Për këtë aspekt, pati një shpjegim në mbrëmje, kryeministri Edi Rama, gjatë ndërhyrjes së tij në seancën e parlamentit. “Pakti për Universitetin ka një komponent që është infrastruktura.
Ne kemi ngritur grupe të përbashkëta mes ministrive dhe universiteteve sipas fushave, dhe këto grupe të përbashkëta do të ndërtojnë dhe të gjithë projektin për investime që lidhen me infrastrukturën dhe këto projekte të ndërtuara së bashku me universitetin, do bëhen bashkë e do jenë një program i qeverisë sonë për infrastrukturën e universiteteve, të cilin program ne do ta ofrojmë për bashkëpunim me sipërmarrjen, PPP, po jo për aksin Thumanë Kashar por për të transformuar një herë e përgjithmonë të gjithë infrastrukturën brenda universiteteve e po mundëm dhe atë të sistemit parauniversitar”, tha zoti Rama.

Exit mobile version