Zëri i Amerikës: Qeveria afgane e mbështetur nga Perëndimi, e zhytur në korrupsion, kjo solli shpërbërjen

Talebanët kanë marrë pushtetin në Afganistan dy javë para se Shtetet e Bashkuara të përfundojnë tërheqjen e trupave pas një lufte 20 vjeçare tejet të kushtueshme. Fushata e kryengritësve u përhap në të gjithë vendin, duke marrë të gjitha qytetet kryesore brenda pak ditësh, ndërsa forcat afgane të stërvitura dhe të pajisura me armatime nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj u shpërbënë. Presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi të dielën dhe talebanët u futën në kryeqytetin Kabul. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre ende kontrollojnë aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, ku po përpiqen të evakuojnë civilët dhe diplomatët me avionë ushtarakë. Shumë janë të shqetësuar rreth së ardhmes së Afganistanit.

ÇFARË PO NDODH NË AFGANISTAN ?

Talebanët, një grup militant që drejtoi vendin në fund të viteve 1990, e ka marrë përsëri kontrollin e Afganistanit.

Pushtimi i Afganistanit nga një koalicion i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2001, i rrëzoi talebanët nga pushteti, por grupi militant nuk u shpërbë kurrë. Pas ofensivës së talebanëve gjatë ditëve të fundit, qeveria afgane e mbështetur nga Perëndimi, që ka drejtuar vendin për 20 vjet, u rrëzua. Afganët, të frikësuar për të ardhmen, po vërshojnë drejt aeroportit, një nga rrugët e vetme për të dalë jashtë vendit.

PSE NJERËZIT KËRKOJNË TË LARGOHEN?

Banorët janë të shqetësuar se vendi mund të zhytet në kaos, ose talebanët mund të ndërmarrin sulme hakmarrëse kundër atyre që punuan me amerikanët ose qeverinë.

Shumë njerëz gjithashtu kanë frikë se talebanët do të rivendosin rregullat e ashpra të ligjit islamik, siç bënë kur kishin pushtetin nga viti 1996 deri në vitin 2001.

Gjatë asaj periudhe, grave u ndalohej vajtja në shkollë, ose të punonin jashtë shtëpisë. Ato duhej të vishnin burkën, që mbulon gjithçka përveç syve, dhe të shoqëroheshin nga një i afërm mashkull, sa herë që dilnin jashtë shtëpisë. Talebanët ndaluan muzikën, u prenë duart hajdutëve dhe vranë të akuzuarit për lidhje jashtëmartesore.

Talebanët po përpiqen të shfaqen si një forcë më e moderuar në vitet e fundit dhe thonë se nuk do të hakmerren, por shumë afganë janë skeptikë ndaj këtyre premtimeve.

PSE TALEBANËT PO MARRIN PUSHTETIN?

Ndoshta sepse trupat amerikane do të përfundojnë tërheqjen deri në fund të muajit. Shtetet e Bashkuara prej disa vitesh po përpiqen të largohen nga Afganistani, lufta më e gjatë ndonjëherë për Uashingtonin.

Trupat amerikane i mundën talebanët brenda disa muajsh, kur ndërhynë në Afganistan për të çrrënjosur organizatën terroriste al-Kaida, organizatoren e sulmeve të 11 shtatorit, së cilës, talebanët i dhanë strehë në Afganistan. Por mbajtja e territorit dhe rindërtimi i një vendi të rrënuar nga luftërat e shumta ishte e vështirë.

Ndërsa vëmendja e Shteteve të Bashkuara u zhvendos në Irak, talebanët filluan të rigrupohen dhe vitet e fundit vunë nën kontroll pjesën më të madhe të zonave rurale në Afganistan.

Vitin e kaluar, Presidenti i atëhershëm Donald Trump njoftoi një plan për tërheqjen ushtarake dhe nënshkroi një marrëveshje me talebanët, që kufizoi veprimet ushtarake amerikane kundër tyre. Më pas, Presidenti Joe Biden njoftoi se trupat e fundit amerikane do të largoheshin nga ai vend deri në fund të gushtit.

Me afrimin e afatit të tërheqjes, talebanët filluan një ofensivë rrufe, duke marrë me radhë kontrollin e qyteteve.

PSE U SHEMB FORCA AFGANE E SIGURISË?

Përgjigja është korrupsioni.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s shpenzuan miliarda dollarë gjatë dy dekadave, për të trajnuar dhe pajisur forcat afgane të sigurisë.

Por qeveria e mbështetur nga Perëndimi ishte e përfshirë nga korrupsioni. Komandantët e ekzagjeronin numrin e ushtarëve për të nxjerrë përfitime, ndërsa trupave në terren shpesh u mungonte municioni, furnizimet apo edhe ushqimi.

Morali i tyre u rrënua më tej, kur u bë e qartë se Shtetet e Bashkuara po tërhiqeshin. Ndërsa talebanët përparuan me shpejtësi ditët e fundit, njësi të tëra u dorëzuan pas betejave të shkurtra, ndërsa Kabuli dhe disa provinca të tjera u dorëzuan pa luftë.

ÇFARË NDODHI ME PRESIDENTIN E AFGANISTANIT ?

Ai u largua.

Presidenti Ashraf Ghani bëri pak deklarata publike ndërsa talebanët morën kontrollin e të gjithë vendit. Të dielën, ndërsa talebanët arritën në kryeqytet, ai u largua nga Afganistani, duke thënë se kishte zgjedhur të largohej për të shmangur gjakderdhjen e mëtejshme. Ende nuk është e qartë se ku ka shkuar zoti Ghani.

PSE PO KRAHASOHET AFGANISTANI ME RËNIEN E SAIGONIT?

Rënia e Saigonit në duart e forcave komuniste të Vietnamit të Veriut në vitin 1975 shënoi fundin e Luftës së Vietnamit. Ai u bë simbol i humbjes, pasi mijëra amerikanë dhe aleatët e tyre vietnamezë, u larguan me helikopterë nga Saigoni.

ÇFARË DO TË NDODHË NË AFGANISTAN?

Nuk është e qartë.

Talebanët thonë se duan të formojnë një “qeveri gjithpërfshirëse islamike” me fraksione të tjera. Ata po zhvillojnë negociata me politikanë të lartë, përfshirë edhe udhëheqës të ish qeverisë.

Ata janë zotuar të zbatojnë ligjin islamik, por thonë se do të sigurojnë një mjedis të sigurt për kthimin e jetës normale pas 20 vitesh luftë.

Por shumë afganë nuk kanë besim tek talebanët dhe kanë frikë se sundimi i tyre do të jetë i dhunshëm dhe shtypës. Një shenjë që shqetëson njerëzit është se ata duan që vendi të quhet “Emirati Islamik i Afganistanit”, ashtu siç e quanin kur ishin në pushtet.

GRATË NËN SUNDIMIN E TALEBANËVE

Shumë njerëz kanë frikë se me talebanët në pushtet shumë të drejta që kanë fituar gratë do të zhduken. Gratë afgane kanë fituar shumë të drejta që nga përmbysja e talebanëve 20 vite më parë. Por shumë prej tyre janë të shqetësuara se ato përsëri do të duhet të mbyllen brenda.

Talebanët kanë thënë se nuk janë më kundër grave që ndjekin shkollën, por nuk kanë përcaktuar një politikë të qartë për të drejtat e grave. Afganistani mbetet një vend kryesisht konservator, veçanërisht zonat larg qyteteve të mëdha dhe statusi i grave shpesh ndryshonte, madje edhe nën sundimin taleban.

A DO TË STREHOJNË TALEBANËT PËRSËRI AL-KAIDËN?

Kjo mbetet për t’u parë, por zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë shprehur shqetësime. Në marrëveshjen e paqes të nënshkruar me Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar, talebanët u zotuan të luftojnë terrorizmin dhe të parandalojnë Afganistanin që të kthehet përsëri në një bazë për sulme. Por Shtetet e Bashkuara nuk kanë garanci se talebanët do ta respektojnë marrëveshjen.

Përparimet teknologjike të 20 viteve të fundit u mundësojnë Shteteve të Bashkuara që të vënë në shënjestër militantët e dyshuar në vende si Jemeni dhe Somalia ku nuk ka prani të përhershme trupash. Talebanët paguan një çmim të rëndë për rolin e tyre në sulmet e 11 shtatorit dhe ka të ngjarë të shpresojnë të shmangin përsëritjen, ndërsa kërkojnë të konsolidojnë sundimin e tyre.

Por në fillim të këtij viti, udhëheqësit kryesorë të Pentagonit thanë se një grup ekstremist si al-Kaida mund të jetë në gjendje të rigjallërohet në Afganistan dhe zyrtarët tani po paralajmërojnë se grupe të tilla mund të zgjerohen shumë më shpejt nga sa pritej.

Afganistani është gjithashtu strehë e një fraksioni të organizatës terroriste, që e quan veten Shteti Islamik dhe që ka kryer një valë sulmesh të tmerrshme, duke vënë në shënjestër gjatë viteve të fundit pakicën e sektit shiit. Talibanët i kanë dënuar sulmet dhe të dy grupet kanë luftuar me njëri -tjetrin për territore, por mbetet për t’u parë nëse një qeveri talebane do të jetë e gatshme, apo e aftë, ta shtypë Shtetin Islamik./VOA

Artikulli paraprakBiden: Interesi jonë i vetëm në Afganistan ishte të parandalonim sulme terroriste ndaj SHBA
Artikulli tjetërfaqja e pare