“Zëri i Amerikës” reagon për censurën

Radio “Zëri i Amerikës” reagoi dje ndaj censurës së pushtetit ndaj emisionit investigativ, “Publicus”. “Mbyllet emisioni TV, gazetarët: ‘Presion i pushtetit’” është titulli i shkrimit të ‘Zërit të Amerikës’ që i referohet censurës që sa vjen dhe bëhet edhe më e egër nga pushteti në Shqipëri ndaj mediave.

Pjesë nga shkrimi

Stafi i një emisioni investigativ “Publicus” që transmetohej në televizionin privat “Vizion Plus” në Shqipëri njoftoi se episodi i tretë i parashikuar për ditën e djeshme në mbrëmje u bllokua për shkak të trysnisë nga pushteti. “Drejtuesit e televizionit ‘Vizion Plus’, njoftuan se ata e nuk lejojnë transmetimin e episodit të tretë të ‘Publicus’, të titullur ‘Kodrina e vdekjes’, sipas programimit (të dielën, dt. 9.10.2016, ora 20:10)! Njëkohësisht, kanë tërhequr mbështetjen financiare për programin, për stafin e përfshirë për realizimin e tij dhe se kanë larguar të gjitha njoftimet publicitare për këtë program nga faqja zyrtare online e televizionit!”, shkruan në faqen në Facebook të emisionit, autorët e tij.
Sipas tyre episodi që u bllokua për transmetim ishte “një raport mbi vdekjen tragjike të një të riu që banonte në rrethinat e ish-Kombinatit e që punonte në kushte pasigurie në landfillin e Sharrës, pronë e Bashkisë së Tiranës e që e bashkadministronte me një kompani private riciklimi. Bëhet fjalë për Ardit Gjoklajn, 17-vjeçarin që u nda nga jeta në rrethana dramatike. Ne shkuam në Sharrë, takuam njerëz e folëm me familjarët e viktimës dhe regjistruam dëshmi. Zbuluam dokumente, të cilat nëpunësit kërkojnë t’i fshehin, pasi nuk duan të zbulohen përgjegjësitë. E të gjitha këto i përgatitëm për t’i publikuar. Por nuk na lanë!”. Ngjarja e ndodhur në landfillin e Sharrës më 9 gusht ka ngritur që në fillim dyshime dhe akuza të drejtpërdrejta ndaj Bashkisë së Tiranës, për kushtet e jashtëligjshme në të cilat detyroheshin të punonin njerëz të shtyrë nga varfëria, një pjesë e mirë e të cilëve sipas investigimeve të medias ishin në të zezë.
Në një intervistë për Rrjetin e Gazetarisë Investigative në Ballkan, “BIRN”, producenti i emisionit “Publicus”, Artan Rama, shprehet se problemet e para nisën “që kur gazetarë të emisionit trokitën në dyert e Bashkisë së Tiranës për të kërkuar informacion mbi landfillin e Sharrës”. Më pas ai rrëfen se në ndryshim nga parë ishte thirrur që disa ditë më parë nga drejtuesit e televizionit, të cilët kishin kërkuar informacion për përmbajtjen dhe më pas, një ditë përpara transmetimit i kishin komunikuar se nuk do të shfaqej. Por ndërkohë drejtori administrativ i kompanisë që menaxhon televizionin, Genc Dulaku, mohoi që mostransmetimi të jetë bërë për arsye të censurës: “Ne patëm mosmarrëveshje mbi çështje administrative me drejtorin e emisionit pasi ai qe vonuar në montimin e tij. I thashë se qe e pamundur që emisioni të transmetohej këtë javë dhe se ai mund të vijonte javën tjetër, por ai vendosi të largohet. Unë nuk mund të censuroj një emision që nuk e kisha parë”, i tha Dulaku “BIRN”-it, ndonëse autorët e programit këmbëngulin se ata e kishin gjithçka gati.
Edhe Partia Demokratike akuzoi drejtpërdrejt kryebashkiakun Veliaj, i cili sipas saj “po shfaqet si një xhelat i medias dhe fjalës së lirë. Kjo është një ngjarje e rëndë për median, për lirinë e shprehjes, për një prej themeleve të demokracisë. Një ngjarje e paprecedent që ndodh në një vend që kërkon të hapë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian”, deklaroi të hënën Grida Duma, sekretare për marrëdhëniet me publikun në PD.

Artikulli paraprakTaksat vendore, ende shpresë te shfuqizimi
Artikulli tjetërRadhën do ta keni ju që heshtni o të…….!