“Zëri i Amerikës” reagon për fushatën e Ahmetajt me përdhunesin e Kavajës

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe ish-bashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi, kanë marrë pjesë në një veprimtari publike së bashku, edhe pse këtij të fundit i është hequr mandati i të zgjedhurit publik, si pasojë e ligjit të dekriminalizimit.
Mediat vendore publikuan një video, ku ministri Ahmetaj e mban ende përkrah tij Roshin si bashkiak, edhe pse ai është i shkarkuar nga qeveria.
Bashkë me ta kanë marrë pjesë në tubim edhe drejtues të Partisë Socialiste të Kavajës, ku ministri Ahmetaj mund të drejtojë fushatën zgjedhore të këtij viti.
Partia Demokratike protestoi, duke e quajtur skandal politik, që shkatërron procesin e dekriminalizimit, këtë takim të një anëtari të qeverisë me një ish-zyrtar të shkarkuar nga posti prej ligjit të dekriminalizimit.
“Roshi, dënuar në Itali dhe Zvicër për përdhunim dhe trafik droge, me mandat të hequr prej ligjit të dekriminalizimit, mbetet në krye të Partisë Socialiste dhe të Bashkisë së Kavajës. Kjo është një tjetër dëshmi se Edi Rama nuk ndahet dot nga krimi, nga trafikantët dhe droga”, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Exit mobile version