Zëri i Amerikës i ka kushtuar një shkrim të zgjeruar dy koncesioneve skandaloze, që parlamenti i kontrolluar nga votat e PS-së, miratoi dje në seancën e fundit. Bëhet fjalë për PPP-të për rrugën Milot-Balldren dhe atë Orikum-Dukat. VOA thekson se kontratat për këto rrugë me kosto jashtëzakonisht të shtrenjta janë dhënë në mënyrë jo transparente dhe çmimi është rritur në mënyrë të dyshimtë, disa herë.
‘Në Shqipëri parlamenti miratoi të enjten në mbrëmje, me votat vetëm të shumicës, në seancën e fundit të këtij sesioni, dy kontrata të diskutueshme koncesionare, sipas formulës së Partneritetit Publik Privat (PPP), për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, 17, 2 kilometra e gjatë, me një vlerë prej 256 milion eurosh, dhe aksin tjetër, Orikum-Dukat, në jug të vendit, 14.7 kilometra, për një vlerë prej mbi 60 milion eurosh.
Të dyja kontratat, por veçanërisht ajo e rrugës Milot Balldren, kanë ngritur pikëpyetje të shumta jo vetëm për koston shumë të lartë, por dhe mungesën e transparencës dhe procedurave të ndjekura. Formula e PPP-së, parashikon që financimi i punimeve të bëhet nga vetë kompania, ndërsa shteti e shlyen më pas në harkun e një periudhe 13 vjeçare duke paguar me këste.
Në rastin e rrugës Milot-Balldren, kompania A.K.N. shpk ka deklaruar se ajo do të marrë 70 milion euro hua, do të investojë 52 milion euro nga kapitali i saj, ndërsa 19,5 milion euro të tjerë do t’i marrë nga furnitorët. Por zyrtarisht kompania rezulton të ketë, sipas bilancit të vitit 2018, një kapital prej vetëm 3.4 milion euro.
Rruga përfshin përveç aksit kryesore dhe ndërtiin e rrugëve dytësore, dy urave dhe dy tuneleve me gjatësi 850 metra. Fillimisht, në ofertën e saj kompania kishte parashikuar ndërtimin e vetëm një tuneli, ndërsa në një fazë të dytë ka marrë përsipër ndërtimin edhe të një tuneli tjetër, por pa pretenduar shtesë së vlerës.
Pikëpyetjeve ju shtua dhe fakti se në ofertën e bërë në vitin 2017 kompania përllogariste një kosto ndërtimi prej 63 milion eurosh dhe kosto mirëmbajtje prej 3.5 milion eurosh, ndërsa një vit më pas, kostoje u rrit me më shumë se dyfishi, ndërsa mirëmbajtja me me shumë se 5 herë.
Autoritetet nuk kanë dhënë asnjë shpjegim publik lidhur me këto dyshime, të cilat janë ngritur mëse një herë dhe nga opozita, por janë mjaftuar të deklarojnë se rruga do të jetë e standarteve europiane, se kostot e saj shtohen dhe nga ndërtimi i rrugëve dytësore dhe nyjeve lidhëse, nga ndërtimi i dy urave dhe tuneleve dhe se në koston përfundimtare përllogaritet dhe kosto e mirëmbajtjes.
Përpara miratimit në parlament, Partia Demokratike përsëriti akuzat e saj se, `me koncesionin për Milot-Balldre, Edi Rama thyen çdo rekord korrupsioni dhe klientelizmi. Brenda 1 viti, Edi Rama i ka dhënë familjes së mikut të tij personal, Ndue Kola, 526 milion euro ose gati 5% të Prodhimit Kombetar nëpërmjet koncesionit të sotëm dhe atij të rrugës së Arbrit, që ndërtohet nga e njëjta familje’, deklaroi ish deputetëja Albana Vokshi duke shtuar se ‘koncesioni Milot-Balldren dhe Orikum – Dukat është pjesë e projektit kriminal ‘1 miliardë euro’, që po e shndërron Shqipërinë në parajsën e pastrimit të parave të pista, koston e së cilës e paguajnë qytetarët shqiptarë`, shkruan ditën e sotme Zëri i Amerikës.