Zëri i Amerikës: Shqipëri, ndërtimi i “Hec Skavica”, debate të reja për një projekt të vjetër

Në Shqipëri diskutimet mbi ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës në kaskadën e lumit Drin, mbi 3 hidrocetralet e tjera, Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, kanë një zanafillë që prej periudhës së komunizmit. Vetëm në dy dekadat e fundit ky projekt ka marrë vemendjen e disa kompanive në të paktën 3 raste, por proçedurat kanë dështuar. Së fundi, përmes kontenstimeve të shumta, po diskutohet për ndërtimin e kësaj vepre hidroenergjitike nga Shoqëria “Bechtel International Inc”. Për këtë qëllim parlamenti 3 vjet më parë miratoi një ligj të posaçëm. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Tiranë, Mimoza Picari sjell një ballafaqim të argumentave të shoqërisë civile, juristëve dhe autoriteteve publike mbi këtë çështje.

Që prej vitit 2021, kur u miratua ligji që përcakton “Procedurën e veçantë për negocimin, ekzekutimin dhe miratimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International Inc”, për projektimin dhe ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës, e më pas dhe një VKM për miratimin e kontratës së fazës së parë për shërbime teknike mes KESH dhe kompanisë në fjalë, dy shoqata që përfaqësojnë interesat e banorëve e luginës së Drinit të Zi, si dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, kanë ngritur disa shqetësime, të cilat u konkretizuan me ankime në Gjykatën Kushtetuese. Ato pretendojnë se HEC-i i Sakvicës, cënon jetën e mbi 15 mijë banorëve në mbi 40 fshatra dhe sjell dëme të paripariueshme mjedisore, të trashëgimisë kulturore dhe të veprimtarisë ekonomike në zonë. Ankimuesit çmojnë se edhe ligji në vetvete shkel disa parime kushtetuese, si të drejtën e informimit për çështjet mjedisore, liritë ekonomike dhe shmang konkurencën pasi përcakton një kompani të vetme për studimin dhe ndërtimin.

Nga ana tjetër autoritetet zyrtare argumentojnë se ndërtimi i HEC Skavicës, do të rrisë prodhimin e energjisë përmes hidrocentraleve në vend, i cili aktutalisht mbulon mbi 70% të nevojave në vend, si dhe do të shmangë përmbytjet në zonën e nënshkodrës. Ligji përcakton dy faza. Faza e parë parashikon kryerjen e studimeve dhe analizave në zonë, dhe faza e dytë ndërtimin, që do ta varet nga rezultatet e studimit. Projekti ndodhet në fazën e parë. KESH, ka paguar shoqërinë “Bechtel Limited”- dega në Shqipëri, për kryerjen e studimit me një vlerë prej rreth 16 milionë euro.

Një prej kontenstimeve lidhet me mungesën e studimeve për zonat që preken, vlerësimin ekonomik apo kostot, para se të miratohej ligji.

“Çdo ligj para hartimit dhe miratimit duhet të kalojë përmes një vlerësimi paraprak. Në këtë rast nuk u bë asgjë. Qeveria nuk di sa banorë do preken, sa është volumi ekonomik i zonës dhe për më tepër nuk di as sa është potenciali në të ardhmen e këtij volumi ekonomik. Sepse nuk ka asnjë studim. Në invenstime kaq të mëdha duhe të ketë studime”- u shpreh për Zërin e Amerikës Dorian Matlija, drejtor ekzekutiv i Res Publica.

Përfaqësues të qeverisë të pyetur në Gjykatën kushtetuese, në dhjetor të vitit të kaluar gjatë seancës ku u parashtruan argumentat e palëve, se përse nuk ishin kryer studime para miratimit të ligjit, thanë se ligji u miratua pikërisht për këtë arsye, që në fazën e parë të kryhen studimet dhe të përllogariten kostot. Autoritetet publike i mëshuan faktit se ndërtimi i Hidrocentralit i përket fazë së dytë, dhe varet nga rezultatet e studimit. Ndërkohë ligji parashikon që Shoqëria “Bechtel International Inc.” do ndihmojë qeverinë në sigurimin e mbështetjes financiare për projektin.

Anëtarë të Gjykatës Kushtetuese u ndalën në seancë edhe tek arsyet i miratimit të këtij ligji.

“Përse kemi nevojë për një ligj për procedurën e negocimit? Nga buron nevoja për këtë ligj? Pra është i dedikuar, është vetëm për kompaninë “Bechtel”, vetëm për Skavicën. Cila është baza ligjore? Përse e bën qeveria kët?. Është vullnet politik? Apo është detyrim ligjor? Kjo është pyetja”- tha Holta Zaçaj Kryetare e Gjykatës Kushtetuese në seancën që u zhvillua në Gjykatën Kushtetuese në dhjetor të 2023-it.

“Mund të negociohet me një subjekt privat vetëm nëpërmjet një procedure ligjore. Sot ne njohim disa forma se si negociohet me palët private. Është ligji i prokurimit, ai i konçensioneve, sepse të negociosh me një subjeket privat kushtetuta të jep të drejtë, sidomos për ato projekte që kanë një kufizim të të drejtave, duhet hartuar një ligj në kuptim të nenit 17. Në rast se ka një cënim të të drejtave ose kufizim për një interes publik të bëhet me një proçedurë që e cakton ligji”- u shpreh Herald Jonuzaj, Përfaqësues i Këshillit të Ministrave në të njëjtën seancë.

Ndërkohë KSHH i tha Zërit të Amerikës se në këtë rast kemi cënim të parimeve kushtetuese dhe të sigurisë juridike pasi anashkalohen një sërë ligjesh që parashikojnë garë të hapur dhe konkurencë.

“Është anashkaluar krejtësisht legjislacioni në fuqi, mbi prokurimet publike, konçensionet, Partneritetet Publike Private, ligji për vlerësimin e ndikimit në mjedis apo për vlerësimin strategjik të mjedisit”- u shpreh për Zërin e Amerikës Erida Skëndaj, Drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Rast i ngjashëm i një ligji që përcakton procedurë të vecantë për të negociuar me një kompani të vetme, është ai për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2021. Ndërkohë në Qendrën e Botimeve Zyrtare Zëri i Amerikës konstatoi dhe ligje të tjera të kësaj natyre, si ai për ndërtimin e portit të Karpenit, të aeroportit të Vlorës, për ndërtimin e rrugës së Arbrit, apo për sigurinë kibernetike. Juristët që mbrojnë të drejtat e banorëve të luginës së Drinit të Zi, kanë një qasje kritike kur bëhet fjalë për miratimin e ligjeve të tilla që përcaktojnë kompani të veçanta për ndërtimin e veprave të ndryshme.

“Praktika të tilla, unë i konsideroj korrupsion legjislativ, përmes dhënies së privilegjeve më anë të ligjit, duke krijuar imunitet kolektiv për vendimarrësit. Kjo është gjëja me e dëmshme për një shtet të së drejtës”- tha për Zërin e Amerikës Jordan Daci, avokat.

Por një nga shqetësimet serioze të shoqatave që kundërshtojnë ndërtimin e HEC Skavicës, lidhet me faktin se ligji parashikon që si studimi i ndikimit në mjedis ashtu dhe ndërtimi të kryhet nga Shoqëria “Bechtel”. Avokati Dorian Matlija është skeptik edhe pse oponenca do të kryhet nga KESH.

“Studimet e kësaj natyre që janë të fazës së parë duhet t’i bëjë organi që zhvillon projektin, që në rastin konkret është KESH-i, apo Ministria përkatëse. Nuk mund t’i bëjë subjekti privat i kontraktuar, aq më tepër kur ky subjekt është po ai që do të ndërtojë dhe veprën. Jemi në konflikt të hapur interesi”- vijoi Dorian Matlija, Avokat.

Ky ishte një moment që mori dhe vëmendjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, gjatë seancës ku palët parashtruan argumentat.

“Përse është e njëjta kompani që bën dhe studimin e fizibilitetit dhe sipas ligjit është po ajo që do të lidhë dhe kontratën e dytë që ka të bëjë më zbatimin. A ka një arsye”- iu drejtua Holta Zaçaj Kryetare e Gjykatës Kushtetuese përfaqësuesit e qeverisë.

“ Nuk shoh ndonjë pengesë ligjore. Mund të jetë një studim që nesër kompania në fazën e dytë tërhiqet. Kjo nuk do të thotë se ne mund të mos vazhdojmë me një kompani tjetër”- u përgjigj Herald Jonuzaj, Përfaqësues i Këshillit të Ministrave.

E drejta për të informuar publikun që preket nga ndërtimi i HEC Skavicës për çështjet mjedisore, gjithashtu ngjalli interesin e anëtarëve të gjykatës kushtetuese, në seancën e dhjetorit të vitit të kaluar.

“Publiku i ndikuar kur duhet të pyetet, para miratimit të ligjit, apo pas miratimit të ligjit”- pyeti Elsa Toska, Anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

“Mendimi i publikut do të merret në momentin që janë realizuar këto studime, mbi bazën e të dhënave shkencore por edhe studimet që palët i kanë bërë me inisiativën e tyre. Kur të vijë faza e dytë e shqyrtimit dhe e dhënies së të drejtës për ndërtimin e hidrocentralit e cila patjetër do kalojë në Kuvend, kërkon konsultim të gjerë”- u përgjigj Mimoza Arbi përfaqësuese e Kuvendit të Shqipërisë.

Gjykata kushtetuese, duke pasur parasysh se ligji e rregullon projektin e Skavicës në dy faza dhe faza e dytë fillon vetëm nëse finalizohet faza e parë, vlerësoi se kërkuesit legjitimohen vetëm për pretendimin për cënimin e së drejtës së informimit për çështjet mjedisore. Gjykata i la detyrë autoriteteve publike ta riparojnë shkeljen e konstatuar dhe të garantojnë të drejtën për informim gjatë fazës së parë të zbatimit të ligjit, si dhe detyrimin për marrjen parasysh në vijim të rezultateve të procesit të informimit për mbrojtjen e mjedisit, për aq sa është e mundur, në zbatim të nenit 8 të Konventës së Aarhusit.

“Qeveria duhet të ketë vullnetin maksimal për të dëgjuar banorët dhe mbi të gjitha të dëgjojë ekspertët dhe institucionet e vetë shtetit shqiptar, Akademinë e Shkencave, Institutin e Historisë, atë të Arkeologjisë. Të gjithë në bashkëpunim do të mund t’i provojnë qeverisë që kjo inisiativë është e gabuar”- vijoi Jordan Daci, avokat.

Edhe pse organizatat joqeveritare, nuk u legjitimuan për pjesën më të madhe të pretendimeve të tyre, si për cënimin e lirive ekonomike dhe të konkurencës, të dëmtimit të mjedisit, trashëgimisë kulturore apo të të drejtave të banorëve të luginës së Drinit të Zi, që preken nga ndërtimi i HEC të Skavicës, i konfirmuan Zërit të Amerikës se do ta vijojnë betejën ligjore në Gjykatën Kushtetuese, nëse kalohet në fazën e dytë të ligjit që parashikon ndërtimin e kësaj vepre hidroenergjitike./VOA

Artikulli paraprak“SPAK s’mund të tronditet”, Açka: Amnistia penale mos të prekë reformën në drejtësi, mos të dhunohen
Artikulli tjetër“Të mos përfshihen në amnisti personat e dënuar apo në hetim nga SPAK dhe të përfitojnë qytetarët që kanë protestuar për kauzat e tyre”/ Alibeaj: Jemi gati të votojmë amnistinë e versionit fillestar, jo atë që është futur tinëz