Drejtori i Burgut Tropojë, Granit Kurmekaj është pezulluar dje nga detyra përmes një urdhri të posaçëm nga ministri teknik i Drejtësisë, Gazmend Bardhi. Shkak për këtë pezullim është bërë përfshirja e tij në fushatën zgjedhore, një akt ky i ndaluar tashmë nga ligji, me ndryshimet e miratuara dy javë më parë në Kuvend. Kjo masë, erdhi pas verifikimit të kryer, si dhe informacioneve të marra nëpërmjet fotove dhe videove, ku konstatohet përfshirja e Kurmekajt, në fushatën zgjedhore në kundërshtim me ligjin. Njëkohësisht, ndaj tij është bërë kallëzim penal në Prokurori. Vendimi për pezullimin e tij është marrë nga ministri i ri i Drejtësisë i propozuar nga PD, Gazment Bardhi. Deri në sqarimin e rrethanave mbi këtë çështje, ministri i Drejtësisë ka urdhëruar menjëherë pezullimin e përkohshëm nga detyra të drejtorit të IEVP Tropojë. “Ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi, pezulloi nga detyra drejtorin e IEVP në Tropojë, Granit Kurmekaj, si dhe ia referoi rastin e tij Prokurorisë së Përgjithshme, për veprën penale të përfshirjes në fushatën zgjedhore të një subjekti zgjedhor. Kjo masë, erdhi pas verifikimit të kryer, si dhe informacioneve të marra nëpërmjet fotove dhe videove, ku konstatohet përfshirja e Kurmekajt, në fushatën zgjedhore në kundërshtim me ligjin”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Drejtësisë. Për këtë qëllim, ministri i Drejtësisë i ka referuar çështjen organeve të Prokurorisë, si dhe ka vënë në dijeni zyrën e prokurorit të Përgjithshëm, për shkak se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, se shtetasi Granit Kurmekaj, me detyrë drejtor i IEVP Tropojë, ka kryer veprën penale të parashikuara nga neni 328/a të Kodit Penal. Deri në sqarimin e rrethanave mbi këtë çështje, ministri i Drejtësisë ka urdhëruar menjëherë pezullimin e përkohshëm nga detyra të drejtorit të IEVP Tropojë. Ministri Gazmend Bardhi u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të denoncojnë rastet ku zyrtarë e punonjës të administratës përfshihen në fushatë elektorale, ndërsa shprehet se nuk do të tolerohet asnjë rast ku posti publik përdoret në favor të subjekteve publike. “Ministria e Drejtësisë inkurajon çdo qytetar që të denoncojë në portalin elektronik në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve. Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo angazhim politik në kundërshtim me ligjin të punonjësve të administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë. Partia Socialiste ka nxjerrë gjithë administratën në fushatë elektorale. Të gjithë punonjësve u bëhet presion e shantazh se do të shkarkohen nga puna në rast se nuk bëhen pjesë e takimeve elektorale të PS. Institucionet publike pothuajse kanë stopuar funksionimin normal të punës, punonjësit nxirren me pahir nga zyrat për të mbushur takimet elektorale të Ramës. Një situatë e tillë po ndodh në të gjitha qytetet e vendit.