Nga Ermal Peçi
Shumë pak prej jush e mbajnë mend shprehjen gati epike të ish-ministres edhe deputetes së re Edona Bilali, ku në mungesë të eksperiencës dhe profilit politik tha se Edi Rama është në rrugën e duhur për tu bërë Zeus. Me mision e tij për tu bërë Zeus, Edi Rama zbriti në Athinë për të përçuar misionin e tij. Zeusi ynë së bashku me “Zotat” e tjerë të Roskoveçit, Gjirokastrës, Tepelenës, Kolonjës e sa e sa Zota që zotërojnë qytete të cilët emigruan qytetarët në Greqi u nisën me misionin e madh që ju ka caktuar i plotëfuqishmi. Nuk mungonte as Perëndesha e Marrëdhënieve me Parlamentin, Elisa Spiropali së bashku me Zotat e gazetarisë të cilët për shkak të profesionit duhet të përcjellin shfaqjen. Të gjithë së bashku vajtën në Athinë atje ku Zeusi do të lëshonte shigjetat e tij kundrejt armiqve imagjinar apo edhe të atyre që i duhen për të ngritur një shkëndijë për të fshehur zullumet e qeverisë së tij në Shqipëri. Në fakt unë jam një prej njërëzve i cili leksikun e pasur dhe oratorinë e Zeusit tonë e kam shprehur hapur që e kam vlerësuar edhe e vlerësoj por kur vjen puna tek veprat dhe njërëzit që ai zgjedh për të pasur afër lë shumë për të dëshiruar për mos të thënë që është dramë e gjallë. Zeusi ju foli nga Athina shqiptarëve, qytetarëve të Diasporës dhe të huajve përfshirë edhe grekëve si një shtet sipëror dhe fuqi evropiane. Në një orë fjalim ai foli për gjithçka, emocionoi çdo kënd, luante me regjistrat e zërit për të krijuar emocion edhe në fund të fjalimit u ul në gjunjë në shenjë falenderimi ndaj të pranishmëve. Zeusi ynë ju tregoj ferrin që emigrantët shqiptar kishin jetuar, brengat që i kishin parë sytë, vuajtjet e tyre por nuk ju foli për asnjë moment se pse ai ka zgjedhur që mos t’i lejoj që të votojnë. Cila është arsyeja që Zeusi ynë nuk i lë të votojnë edhe nuk ja jep këtë të drejtë kushtetuese.
Pyetja e vetme që duhet t’i drejtohet Zeusi nga shqiptarët është: Çfarë prodhoi ky takim! Çfarë u arrit nga ky takim? Cili ishte qëllimi i këtij takimi?
Këto pyetje duhet të bëj çdo qytetar, çdo gazetar edhe çdo analist sepse dhe “dhi e zgjebosur e bishtin përpjetë”, nuk shkon kjo fabul. Zeusi e di mjaft mirë por një hall i madh e ka bërë të zbresi afër tokësorëve!