Një dokument i publikuar dje në media në lidhje me kompaninë që do të administrojë sistemin e votimit për zgjedhjen e anëtarëve të komisioneve të vettingut ka zbuluar se si Rama ka marrë tërësisht nën kontroll procesin që pretendohet se do të vendosë drejtësinë në vend. Kompania e lidhur me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja do të realizojë proces shumë të rëndësishëm, i cili është kthyer edhe në qendrën e debatit: Zgjedhja e anëtarëve të komisioneve të vettingut të drejtësisë. Bëhet fjalë për tenderin për “Blerjen e sistemit elektronik të votimit në zbatim të Ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i cili i është dhënë kompanisë Fastech, kompanisë, e cila ka lidhje me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja. Përmes kësaj lëvizjeje, Rama merr kontrollin e plotë të zgjedhjes së anëtarëve të komisioneve të vettinut, duke minuar kështu gjithë Reformën e Drejtësisë. Kujtojmë këtu se zgjedhja e anëtarëve të komisioneve të vettingut është element kyç përsa i përket Reformës në Drejtësi, pasi janë këto komisione, të cilat do të merren me rivlerësimin e figurave të gjyqtarëve e prokurorëve. Por ky proces është tërësisht i minuar. Pas akuzave të faktuara se si kompania Intech+, në pronësi të Beqes po përfitonte tendera qindra milionësh nga paratë e buxhetit të shtetit, vitin e kaluar Beqja ndryshoi taktikën e përftimeve. në disa raste, kompania e tij Intech+ shfaqej si bashkim operatorësh bashkë me kompaninë Fastech, duke rezultuar gjithnjë fitues, e në disa raste të tjera, Fastech shfaqej fituese e vetme, por që ndante fitimet me kompaninë e Beqes. Në rastin konkret, kuptohet që tenderi jo pa qëllim i është dhënë kësaj kompanie.
Farsa me nënshkrimet për procesin e vettingut
Një fushatë intensive ka nisur javën e fundit me porosi të Ramës në lidhje me përfshirjen masive të militantëve socialistë në nënshkrimin e një peticioni për nisjen sa më shpejtë të procesit të vetingut.
Mbledhja e firmave për peticionin e Vettingut, si një iniciativë e ndërmarrë nga organizatat e shoqërisë civile, por në fakt është nismë e urdhëruar nga Rama dhe që po organizohet në zyrat e Partisë Socialiste. Firmat merren pa patur nevojë për kartën e identitetit, ndërsa nëpër lista ekzistojnë edhe persona që s’janë më në jetë. Një video u publikua dje në media, e realizuar në Gjirokastër, në vendin ku qëndron “çadra e vettingut”. Siç duket nga pamjet, njerëzit mund të shkojnë lirisht të firmosin, pa patur me vete një dokument identifikimi, madje mund të firmosin edhe në emër të personave të tjerë. Por me shumë gjasa e njëjta mënyrë përdoret edhe në Tiranë apo qytete të tjera të vendit, ku organizatat e nxitura prej mazhorancës kanë ngritur çadrat për mbledhjen e firmave, një nismë kjo që po përdoret për t’ju kundërvënë protestës së opozitës.
Denoncimi i PD për kontrollin e lidhjet e Fastech me Beqen
Vitin e kaluar, PD denoncoi dhënien e parave publike kompanisë së themeluar nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja. Konkretisht Intech Plus, duke u fshehur pas kompanisë Fastech, kishte marrë 320 milionë lekë nga Ministria e Jashtme. Intech e Fastech, në fillim të vitit 2016 kanë krijuar një bashkim operatorësh. “E kanë rregulluar që të futen si bashkim operatorësh, ose që t’i marrë Fastech, pastaj librat e shitjes tregojnë se punët i bën Intech, pra, paratë në fund i merr Beqje. Duhet të kujtojmë këtu se, për vitin 2015, Intechu i Beqës, mori 11 miliardë e 257 milionë lekë. 11 miliardë e 257 milionë lekë nga paratë e shqiptarëve”, thuhej në denoncimin e PD.
A.Shahini