Zgjedhja e kreut të BKH/ A po përplaset qeveria me SPAK?

Pas përfundimit të procedurës së riemërimit të drejtoreshës së BKH-së, Aida Hajnaj, e cila u tërhoq duke mos dorëzuar dokumentacionin, SPAK ka çelur prej ditësh garën për drejtuesin e ri të institucionit. Sipas njoftimit të SPAK, kandidatët kanë afat deri më datë 7 qershor për të shprehur interesin e tyre. Më pas, ata duhet të kalojnë secilën prej shtatë fazave të testimit, nga testi fizik, psikologjik, makina e së vërtetës, e deri te dhënia e pëlqimit për kontrollin e komunikimeve dhe verifikimin e pasurisë.

Emrat e parë që mund të shprehin interes kanë nisur të përfliten. Gledis Nano, ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, është një prej individëve që pritet të shfaqë interes për drejtimin e BKH-së. Florian Sulejmani, kreu aktual i AMP-së, është një tjetër emër i përfolur. Ndërkohë, edhe brenda BKH-së flitet se do të ketë kandidatë për drejtimin e institucionit, si Jon Keta, që për momentin konsiderohet numri 2 i BKH-së. Ky i fundit u shfaq edhe në konferencën për shtyp të kreut të SPAK dhe prokurorëve italianë pas aksionit të madh të disa ditëve më parë.

Por përtej çdo emri, duket se më e fortë do të jetë përplasja mes qeverisë dhe SPAK-ut. Dhe kjo, në fakt, nuk do të ishte hera e parë.

Komisioni që do të përzgjedhë kreun e BKH-së përbëhet nga prokurorët Altin Dumani, Behar Dibra dhe Arben Kraja. Pas përzgjedhjes së emrit, ata ia përcjellin atë për miratim KLP-së. Përtej emrave të përmendur më lart, ka zëra që flasin se qeveria, në mënyrë të fshehtë, mund të përpiqet të emërojë një të besuar të saj në drejtimin e këtij institucioni. Se cila do të jetë mënyra që Rama ka zgjedhur për të ndërhyrë në përzgjedhjen e kreut të ri të BKH-së mbetet ende e paqartë. Por janë krejt të qarta përpjekjet që kreu i qeverisë po bën prej kohësh për të vënë nën kontroll SPAK-un dhe BKH-në.

Institucioni i Byrosë së Posaçme të Hetimit është drejtuar që prej krijimit nga Aida Hajnaj, një emër që mori “bekimin” e qeverisë. Ndërkohë, herë pas here, ndonëse jo publikisht, nuk kanë munguar mosmarrëveshjet mes saj dhe kreut të SPAK-ut, Altin Dumani. Aida Hajnaj ishte thuajse e vetmja drejtuese institucionesh të drejtësisë së re që pranoi të dërgojë përfaqësuesin e saj në komisionin Xhafaj, ndërsa pjesa më e madhe refuzuan pjesëmarrjen për shkak të qëllimeve të vërteta, por të fshehura bukur, të këtij komisioni. Ajo vetë tentoi të rikandidonte, por përballja me testet e vështira, përfshirë edhe makinën e së vërtetës, e bëri të tërhiqej pa shumë zhurmë.

Zgjedhja e kreut të BKH-së konsiderohet një test për SPAK-un, sidomos pas fitores së thellë të maxhorancës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kreu i ri do të drejtojë BKH-në për pesë vitet e ardhshme, me të drejtë riemërimi.

Exit mobile version