Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi për mediat se, çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare “nuk është çështje mendimi, por vullneti të të dyja palëve. PD ka paraqitur një projekt për të përshpejtuar fazën e parë, atë të reformës zgjedhore, tha Basha, dhe më pas, mbajtjen sa më shpejt të zgjedhjeve lokale dhe parlamentare në një ditë.
“Nuk mund të vazhdohet më gjatë kështu, është koha për një reagim dhe për vendosjen e interesave të vendit para interesit partiak. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë, rivendosja e shtetit të së drejtës, e demokracisë, janë jetike”, tha Basha.
Sipas kreut të PD-së, zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ato vendore kushtetuese duhet të mbahen në një ditë, por duhet një vullnet nga të gjitha palët.
“Kemi një Kryeministër që nuk ka asnjë vullnet asnjë ide për të nxjerrë vendin nga kjo krizë. Shikoni shembullin që vjen nga Maqedonia e Veriut, e cila ndërmorri hapin normal duke i rikthyer mandatin qytetarëve për të vendosur ata se çfarë do të bëhet. Në Maqedoni e Veriut nuk u vendosën interesat e qytetarëve mbi ato të pushtetit apo partiake”, tha Basha.
Kreu demokrat tha se po përgatisim ofertën tonë për nxjerrjen e vendit nga kriza, por njëkohësisht njerëzit po humbasin durimin.
“Shqipëria ka humbur 4 herë shansin drejt Europës për shkak të këtij Kryeministri dhe hera e 5-të do të ishte fatale”, tha Basha.
Sipas tij, çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare “nuk është çështje mendimi, por vullneti të të dyja palëve.
“PD ka paraqitur një projekt për të përshpejtuar fazën e parë, atë të reformës zgjedhore, dhe më pas, mbajtjen sa më shpejt të zgjedhjeve parlamentare.
Në Shqipëri janë përvijuar dy qendrime, atë të shumicës absolute jo vetëm të opozitës por edhe të socialistëve, që kërkon ndryshimin dhe atë të pakicës që kërkon të mbajë këtë gjendje për përfitime nëpërmjet korrupsionit.
Dështimet e kësaj qeverie për moshapjen e negociatave e paguajnë shqiptarët, ndaj është koha për të marrë vendimet e duhura dhe koha që pala tjetër ta kuptojë që nuk mund të vazhdojë më gjatë kështu.
Është e rëndësishme të fokusoheni sot pse nuk zbatohet ligji dhe pse Kajmaku i Vorës dhe Babani qëndrojnë akoma në detyrë. Këto zbulojnë se në Shqipëri nuk ka shtet ligjor”, tha Basha.