Zgjedhjet dëshmuan pazarin Rama-Berisha për të mbajtur peng vendin/ Mirela Karabina: Shqipëria meriton më shumë se klasa 34-vjeçare e tranzicionit

Në një intervistë të fundit në emisionin “7pa5” në Vizion Plus me gazetarët Alma Çupi dhe Syrjai Bakalli, Mirela Karabina, kandidate për deputete në qarkun Elbasan nga Koalicioni Euroatlantik, dha një mesazh të qartë mbi qëndrimin e saj politik dhe vizionin për të ardhmen e Shqipërisë.

E pyetur nëse ishte penduar që nuk kishte garuar me një forcë më të madhe politike në zgjedhjet e 11 majit – një zgjedhje që mund t’i kishte garantuar karrigen e deputetes – Karabina u shpreh me vendosmëri: “Unë jam krenare që përfaqësoj Koalicionin Euroatlantik – një grupim politik që po kërkon të çajë këtë sistem dhe që ka dëshmuar koherencë, qartësi në ide dhe qëndrim të pandryshuar ndaj interesave të vendit.”

Ajo theksoi se nuk do të zgjidhte kurrë rrugën e lehtë për të arritur në Parlament nëse kjo do të thoshte të shkelte mbi parimet e saj. Për Karabinën, Trekëndëshi politik 35-vjeçar – bashkëpunimi i fshehtë dhe i dëshmuar ndër vite mes PS, PD dhe LSI – është një bllokadë ndaj zhvillimit demokratik të vendit. Ajo akuzoi forcat tradicionale politike për pazar të hapur në zgjedhjet e fundit: “Zgjedhjet e 11 majit dëshmuan qartë pazarin PS+PD për të ruajtur pushtetin e tyre si mburojë ndaj drejtësisë dhe në kurriz të qytetarëve.”

Sipas saj, më 11 maj demokratët u tradhtuan dhe shqiptarët humbën.

Megjithatë, ajo thekson se beteja nuk përfundon këtu. Karabina garanton se Koalicioni Euroatlantik do të mbetet një zë i fortë dhe i pandalshëm përballë sistemit që, sipas saj, po pengon çdo forcë ndryshe. “Ne do të vazhdojmë të jemi një zë i fortë përballë këtij sistemi që pengon çdo forcë ndryshe, përballë Trekëndëshit të Bermudes dhe në krah të qytetarëve.”

Në përmbyllje, ajo deklaroi se beteja ligjore e Lulzim Bashës dhe e gjithë grupimit të saj për legjitimitetin e Partisë Demokratike do të vazhdojë deri në triumfin e së drejtës. “Shqipëria meriton më shumë,” ishte mesazhi përfundimtar i Karabinës, një thirrje për ndryshim dhe një apel për qytetarët që të mos dorëzohen përballë padrejtësisë politike.

Exit mobile version