Kryeprokurori special Altin Dumani, prokurori i përgjithshëm Olsian Çela dhe komisioneri publik i zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, kanë zhvilluar një takim në ambasadën e Britanisë në Tiranë ku diskutuan lidhur me hetimet për krimet zgjedhore.
“Ambasada Britanike ftoi Kryeprokurorin Special, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Komisionerin Publik të Zgjedhjeve për të informuar ambasadorët mbi strategjinë për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore, të publikuar në vitin 2025” , thuhet në njoftimin e ambasadës.
Sipas ambasadës britanike, sesioni informues mbuloi qasjet kolektive dhe individuale të institucioneve për hetimin e shkeljeve zgjedhore brenda mjedisit aktual operativ, duke përfshirë strategjinë për zbutjen e rreziqeve të mundshme në procesin e ardhshëm zgjedhor.
“Marrëveshja e re ndërmjet institucioneve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u mirëprit nga komuniteti ndërkombëtar si një hap i rëndësishëm i radhës në sigurimin e qartësisë së qëllimit për secilin institucion.
Ambasada Britanike mirëpret angazhimin e Shqipërisë për të siguruar që zgjedhjet e 11 majit të jenë transparente, të drejta dhe të sigurta”, thuhet në njoftimin e ambasadës.