Zgjedhjet janë kusht i BE, nuk hapen negociatat me Ramën

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian shprehen skeptikë për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, të cilët thonë është shumë shpejt për të patur një mbështetje të gjerë.
Kryeministri Edi Rama dhe ministri Jashtëm Ditmir Bushati kanë qenë dje në Bruksel ku morën pjesë në një mëngjes pune me 15 ministrat e Jashtëm të vendeve të BE, organizuar nga Italia dhe Austria.
Ministri i Jashtëm i Holandës, vendi i të cilit është momentalisht kundër hapjes së negociatave, është shprehur se për Shqipërinë do të ketë një vlerësim strikt dhe të ndershëm. Por për t’ju referuar një mbështetje të gjerë për hapjen e negociatave me Shqipërinë është shumë herët.
Kurse ministri i Jashtëm austriak, në një prononcim për “ABC News”, reflekton po të njëjtim mendim: “Ne mbetemi të angazhuar në rajonin e Ballkanit. Ne jemi mirënjohës që Shqipëria luan një rol shumë konstruktiv në rajon dhe përshëndesim reformat që janë kryer deri tani në Shqipëri. Ne mendojmë që vendi është në rrugën e duhur”.
Shtetet anëtare të BE do të diskutojnë shkurtimisht në dhjetor rekomandimin e kushtëzuar të Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit pa marrë vendim. Vendimi pritet të merret pas zgjedhjeve të 2017-s.
Christian Danielsson, drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në KE, deklaroi dje nga Tirana se Shqipëria duhet të bëjë më shumë për hapjen e negociatave me BE, jo vetëm me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por edhe me reformën në administratën publike apo dhe me ligjin zgjedhor, që kërkohet prej saj.
Danielsson dha dje një konferencë shtypi të përbashkët me ministren e Integrimit Europian, Klajda Gjosha.
Ai theksoi se në kuadrin e hapjes së negociatave me BE, “ne duhet të shikojmë vazhdimësi për punën e madhe që duhet bërë në zbatimin e reformave dhe sidomos të atyre që përbëjnë prioritetet kyçe. Kjo ka të bëjë me konsolidimin e atyre që janë arritur, por edhe me ecjen përpara. Kjo do të thotë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, reformës në administratën publike, por dhe për ligjin zgjedhor që kërkohet prej Shqipërisë.
Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë dhe të mbështesim të gjitha përpjekjet tuaja për reformën, si dhe për reformën në drejtësi për të cilën do të japim 72 milionë USD”.

Data vendoset nga zbatimi i kushteve

Pyetje: Duke qenë se Komisioni ka një qëndrim pozitiv, ka një datë fikse se kur mund të jepet një datë fikse për çeljen e negociatave?
Danielsson: “Ky është rekomandimi i Komisionit dhe tani do të gjykohet nga shtetet anëtare të BE, por siç dihet, procesi i zgjerimit do të jenë përpjekjet që do të bëjë vetë Shqipëria për hapat që do të ndiqen”.

Exit mobile version