Nga Zaho Toska/ shteg.org
Një ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit, Elbasani nuk ngjante me një qytet që priste një garë vendimtare. Pedonalja ishte e mbushur me qytetarë që pinin kafe, tifozë që diskutonin futboll dhe pak vëmendje për politikat. Por nën këtë qetësi, fshihej një siguri që përmendej në çdo tavolinë: Sara Mila, kandidatja e Partisë Socialiste, do të dilte më e votuara. Dhe ashtu ndodhi.
Zgjedhjet në Elbasan u zhvilluan në një atmosferë që, në pamje të parë, ngjante me përditshmërinë e zakonshme të qytetit. Prania e figurave politike si Arlind Qori dhe dyshimet për ndërhyrje të krimit të organizuar në procesin elektoral, e bënin situatën më të ndërlikuar dhe të tensionuar. Raportimet në terren tregonin për përpjekje të qarta për të ndikuar votën në favor të kandidatësh të caktuar.
Në Elbasan, akuzat për presion mbi votuesit dhe përfshirjen e emrave të njohur të botës së krimit u bënë pjesë e narrativës së zgjedhjeve. Vëzhguesit ndërkombëtarë mbanin shënime, por pamundësia për të ndaluar fenomene si blerja e votës dhe intimidimi u la vend komenteve ironike nga banorët e qytetit.
Heshtja që vret

Mbrëmjen e 10 majit, anëtarë të Lëvizjes Bashkë, pinin kafe të qetë në një nga lokalet në qendër të Elbasanit. Por ajo që flitej më shumë në qytet nuk kishte të bënte me fushata apo premtime politike.
“Është thënë që Sara do marrë mbi 25 mijë vota. Edhe Edi Rama i ka kërkuar Suel Çelës të punojë për të”, thoshin qytetarë që preferonin të mos identifikoheshin. Të tjerë, edhe nëse kundërshtues të PS-së, e pranonin faktin si të pashmangshëm.
Emri i Suel Çelës, i përfolur në media për lidhje me grupet e strukturuara kriminale, përmendej rregullisht si pjesë e mekanizmit që po garantonte fitoren e Milës.
Sara Mila është një nëpunëse e thjeshtë e Shërbimit Social Shtetëror që arriti të bëhet një surprizë e madhe në politikën shqiptare, duke u bërë kandidatja më e votuar e Partisë Socialiste në lista të hapura në gjithë Shqipërinë. Ajo debutoi në politikë në tetor të vitit të kaluar dhe shpejt fitoi mbështetje të madhe, veçanërisht në qarkun e Elbasanit, duke kaluar nga një profil modest administrativ në një figurë të rëndësishme politike. Përpara kësaj, Mila kishte ndërtuar karrierën e saj në sektorin publik, ku u emërua drejtoreshë sektori në Shërbimin Social Shtetëror në vitin 2022.
Përtej punës në administratë, Sara Mila ka një lidhje familjare me botën e biznesit, si vajza e një biznesmeni dhe bashkëshorte e pronarit të një fabrike alumini në Tiranë.
Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka pretenduar se fitorja e Sara Milës në zgjedhje nuk është rezultat i mbështetjes qytetare apo angazhimit të saj në administratë, por i ndikimit të paligjshëm. Sipas Berishës, ajo ka përfituar nga mbështetja e Suel Çelës, një figurë e njohur për lidhjet me krimin e organizuar në Elbasan dhe aktualisht i shpallur në kërkim për disa vepra penale.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për urdhërimin e kësaj mbështetjeje. “Porosia e Edi Ramës për Suel Çelën është që të bëjë vota për Sara Milen, aty do e tregojë forcën e vërtetë”, – akuzoi Berisha gjatë fushatës elektorale.
Një punonjës i administratës lokale tregoi se si grupe të caktuara kishin tentuar ta bindin për të votuar për vajzën e re.
“Më thirrën dhe mua, më thanë duhet të votosh Sarën dhe të bësh fushatë për të. U thashë se kam fis nga deputetët e PD-ës. Nëse është kështu, nuk ka asnjë problem. Më dhanë dorën dhe nuk më thanë gjë. Nuk bezdis kështu Sueli, është burrë. Nuk ka bezdisur askënd në Elbasan, të jemi realistë”.
Në kuadër të zgjedhjeve, Prokuroria e Posaçme ka deklaruar se do të ketë hetues dhe prokurorë në terren për të monitoruar procesin zgjedhor, me fokus të veçantë në zona të konsideruara me risk, si Elbasani. Pavarësisht kësaj mase parandaluese, raportimet nga terreni tregojnë një tjetër realitet.
Shit-blerja e votës në Elbasan kishte marrë trajta groteske. Në mbrëmje, Elbasani ishte ende i qetë. Nuk kishte makina me xhama të zinj, nuk kishte grupe njerëzish të dyshimtë që të krijonin ndjesinë e intimidimit. Por kishte njerëz që pa frikë deklaronin shitjen e votës së tyre.
“Votën time e shes për 50 mijë lekë. Dhe trupin po ashtu”, tha pa ndrojtje një grua rreth të 40-tave.
Tërmeti i votave në Elbasan

Zgjedhjet në Elbasan nisën me kaos të zakonshëm teknik, vonesa dhe paqartësi në disa qendra votimi, por pas fasadës së qetësisë, atmosfera mbeti e ngarkuar dhe me tension në rritje. Në disa shkolla u raportuan probleme me pajisjet elektronike, ndërsa në “Hamit Muslli” një grua u kap duke fotografuar votën – një shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit zgjedhor.
Majlinda, një zonjë gjatë momentit të votimit, kishte nxjerrë telefonin dhe kishte fotografuar votën.
“Dëgjova blicin dhe e ndalëm menjëherë. E shpallëm votën të pavlefshme dhe e referuam në polici”, më tha kreu i komisionit të kësaj qendre votimi.
Gruaja, pjesë e komunitetit rom, pretendoi se fotoja i nevojitej që të mos harronte për kë kishte votuar.
Raste të tjera tregonin mospërgatitje ose indiferencë. Një grua hyri për të votuar me vajzën, të cilën e la brenda duke parë “Baby Shark” në iPad. “Tani që i ra sëmundja Saliut, u shua fare partia”, komentoi një kamarier me sarkazëm, duke nënvizuar rënien e PD-së në qytet.
Në Peqin, dominimi i PS-së ishte edhe më i qartë. Në një qendër votimi, një komisioner e pranoi hapur: “Unë jam me PSD. E kupto ti…”. Kandidati i PD-së, Mustafa Pashja, akuzoi më pas se përfaqësues të Bashkisë ndodheshin pranë qendrave për të ushtruar presion.
Edhe Belshi u përfshi në të njëjtën atmosferë qetësie, ndonëse ndihmëse, me komisionerë që ofronin byrekë dhe biskota për gazetarët. Në të gjitha zonat e qarkut, tendenca ishte e njëjtë: fitore e qartë për Partinë Socialiste dhe dominim i pashqetësuar i kandidaturës së Sarës.
Rezultatet konfirmuan thashethemet dhe parashikimet e qytetarëve: Sara Mila u rendit si më e votuara në Elbasan me mbi 17 mijë vota. Një fitore që nuk u ndërtua më 11 maj, por shumë më herët – në takime të mbyllura, në heshtjen e institucioneve lokale dhe në mosbesimin e qytetarëve te ndryshimi.
Elbasani nuk pati dhunë, nuk pati trazira, nuk pati skandale në sy të publikut. Por pikërisht ajo qetësi e ftohtë, ajo mungesë shprese për garë të vërtetë, ishte shenja më e qartë e kontrollit të plotë mbi një proces që, ndonëse ligjërisht korrekt, u përjetua si formalitet. Në një qytet ku gjithçka dihet përpara se të ndodhë, zëri i votuesit ishte më shumë një jehonë se një vendim real.