CDU/CSU dol forca e parë pas mbylljes së votimeve në Gjermani, sipas sondazheve, të cilat tregojnë se partia e Friedrich Merz ka marrë 29% të votave.
Pas mbylljes së votimeve lideri i CDU/CSU, Friedrich Merz, ka shpallur fitoren në zgjedhjet parlamentare në Gjermani, duke theksuar se tani sfida kryesore është formimi i një qeverie të qëndrueshme.
“Kemi fituar zgjedhjet”, deklaroi ai pas publikimit të exit poll-eve.
Ai pranoi se procesi për krijimin e qeverisë nuk do të jetë i lehtë, por theksoi se duhet të ndodhë sa më shpejt.
“Duhet ta formojmë atë sa më parë me një shumicë të duhur parlamentare, sepse bota nuk na pret. Gjermania do të rikthehet të jetë e besueshme”, tha ai gjatë fjalimit të tij në Adenauer Haus, selia e partisë.
Ndërkohë ai ju bëri thirrje partive të tjera për dialog, duke nënvizuar se pas një fushate të fortë elektorale mbi çështjet ekonomike dhe emigracionin, tani është koha për bisedime.
“Tani duhet të flasim me njëri-tjetrin për të krijuar një qeveri që mund të veprojë”, shtoi Merz.