Zgjedhjet në Kosovë/ Refuzohen qindra vota nga diaspora, shkak parregullsitë në zarfe; fajësohet KQZ-ja për informim të pamjaftueshëm

Qindra fletëvotime të dërguara me postë nga shtetas që jetojnë jashtë Kosovës, janë refuzuar nga KQZ-ja për shkak se ato nuk janë dërguar konform kërkesave ligjore.

Në shoqërinë civile thonë se gabimet u bënë meqë KQZ-ja nuk i informoi mjaftueshëm qytetarët me ndryshimet e fundit në Ligjin për zgjedhjet

Më shumë se një fletëvotim brenda zarfit, mungesa e vulës në fletëvotim dhe dërgimi i më shumë se një zarfi me fletëvotim nga i njëjti votues, ka bërë që të refuzohen qindra zarfe me fletëvotime, të dërguara nga mërgimtarët.

Drejtori ekzekutiv në GERMIN, Lirim Krasniqi, tha se qytetarët nuk ishin mjaftueshëm të informuar për procesin e votimit, sipas ndryshimeve që janë bërë me ligjin e ri të zgjedhjeve.

“Jo vetëm KQZ-ja, po edhe partitë politike i kanë informuar votuesit, sepse ka qenë në interesin e tyre që të mos shpallen të pavlefshme fletëvotimet për arsye të tilla. Ndërkohë që është e vërtetë që kanë qenë disa elemente të ndryshimeve që kanë ndodhur në Ligjin për zgjedhje, për të cilat nuk ka pasur ndoshta informim masiv, sidomos për votuesit jashtë vendit”, ka thënë ai.

Në KQZ thanë se zarfet me fletëvotime i janë nënshtruar procesit të verifikimit, i cili ka përfshirë krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta.

“529 (zarfe me fletëvotime) janë refuzuar për arsye të ndryshme, si: janë anuluar gjatë regjistrimit: 395; më shumë se një fletëvotim brenda zarfit: 34; mungon vula ose pulla postare: 5; shteti i ndryshëm i dërgimit të zarfit nga shteti ku votuesi është regjistruar: 16; vetëm dëftesa (pa fletëvotim) 50; Ka dërguar zarfin me fletëvotim më shumë se një herë: 29”, thuhet në përgjigje të KQZ-së.

E drejtori ekzekutiv në GREMIN thotë se refuzime të fletëvotimeve për arsye të njëjta janë shfaqur edhe më herët.

“Edhe në zgjedhjet e kaluara ka pasur pako me fletëvotime që janë anuluar dhe diku rreth 5 deri 7 për qind zakonisht të pakove që dërgohen nga jashtë refuzohen për arsyet kryesore që lidhen me procesin e regjistrimit. Pra, nuk bëhet fjalë këtu për ndonjë problem të jashtëzakonshëm që ka ndodhur kësaj radhe edhe jo në zgjedhjet e kaluara”, ka thënë ai.

Sipas KQZ-së, numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës, do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pasi të përfundojë numërimi në qendrat komunale të numërimit.

Artikulli paraprakJuristi Emin Cani do të përfaqësojë Demokratët Euroatlantikë të Peqinit më 11 maj: Respektimi i pronës dhe hapja e dosjeve, të rëndësishme për një demokraci funksionale
Artikulli tjetërKandidati i Demokrtëve Euroatlantikë, Myzafer Elezi, thirrje diasporës: Bëhuni pjesë e ndryshimit!