Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, mbi 90.000 të regjistruar për votim nga diaspora

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në mesnatë ka përfunduar procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës.

 

“Sipas të dhënave preliminare, numri i shtetasve të Kosovës që janë regjistruar si votues jashtë Kosovës në periudhën 29 gusht – 26 dhjetor 2024, deri në orën 23:59 është 90.860, ndërkaq numri i aplikimeve që janë në shqyrtim është 18.244”, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi bëri të ditur se shqyrtimi i aplikimeve të pranuara do të vazhdojë edhe gjatë 27 dhjetorit dhe më pas KQZ-ja do të ketë një raport përfundimtar për numrin e qytetarëve të Kosovës të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.

Më 26 dhjetor, partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje tha se synonte që të zgjaste periudhën e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës deri të dielën. Por, mbledhja e KQZ-së dështoi për shkak se në të nuk morën pjesë përfaqësuesit e partive opozitare.

Kosova do të mbajë zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt 2025.

Në këto zgjedhje, shtetasit e Kosovës jashtë vendit do të mund të votojnë edhe në ambasada dhe konsullata të Kosovës.

Më herët gjatë dhjetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se do të jenë 22 kuti postare në 22 shtete të ndryshme ku pjesëtarët e diasporës do të mund të votojnë. Ndërkaq, votimi fizik do të organizohet në 35 përfaqësi diplomatike dhe konsullore në 22 shtete.

Diaspora e Kosovës është e përqendruar kryesisht në Gjermani, Zvicër, Austri dhe vende të tjera të Evropës.

Në regjistrimin e fundit të popullsisë për herë të parë janë përfshirë edhe shtetasit e Kosovës që jetojnë në diasporë dhe sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ata janë rreth 550.000 persona.

Zgjedhjet e 9 shkurtit do të jetë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008./REL

Artikulli paraprakU shtrua në spital pasi gjendja e tij u përkeqësua, humb jetën një nga kryeministrat më jetëgjatë të Indisë
Artikulli tjetërPresidenti gjerman i hap rrugën zgjedhjeve të parakohshme, shpërndan Parlamentin! Scholz do të drejtojë qeverinë e përkohshme