Ndërsa qytetarët votojnë, SPAK, BKH dhe forcat policore kanë “zbarkuar” në terren për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe parandalimin e krimeve zgjedhore.
Prokurorët e SPAK do të jenë në çdo qark të vendit, kryesisht në zonat të cilat konsiderohen të nxehta si Fieri, Elbasani, Shkodra dhe Lezha.
Policia ka angazhuar mbi 5 mijë punonjës në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë gjithë procesit zgjedhor.
Gjatë votimit, në rast se nga komisionet e qendrave të votimit, koordinatorët, KZAZ-të apo KQZ-ja do të kenë kërkesa për ndërhyrjen e Policisë, në zbatim të Kodit Zgjedhor, Policia ka lënë pikat e kontaktit me komisionet dhe do të veprojë në kohë, konform përcaktimeve ligjore.
Në orën 18:00, shërbimet e policisë do të marrin në ruajtje të gjitha objektet e VNV-ve ku do të bëhet numërimi i votave dhe shërbimi do të vijojë deri në përfundim të të gjithë procesit.
Në bashkëpunim me OSCE-në, KQZ-në dhe me Prokurorinë e Përgjithshme, janë trajnuar 6838 punonjës police me uniformë, si dhe 813 specialistë për Hetimin e Krimeve, të cilët u angazhuan për hetimin e krimeve zgjedhore. Gjatë fushatës elektorale, nga strukturat e Policisë së Shtetit u angazhuan maksimalisht 6500 punonjës policie, për mbarëvajtjen e aktiviteteve elektorale të zhvilluara në ambiente të hapura dhe të mbyllura.