Zgjerimi i BE-së, Ballkani Perëndimor duhet të arrijë normën e rritjes prej 6%

Dobësia strukturore ekonomike e Ballkanit Perëndimor, me shumë mundësi do të shndërrohet në një problem politik, por BE-ja, deri më tani, nuk e ka trajtuar në mënyrën e duhur çështjen e politikës së zgjerimit. Sipas një studimi të kohëve të fundit të kryer nga Banka Botërore, ekonomive të Ballkanit Perëndimor do t’i duhet të rriten me ritme vjetore prej së paku 6%, nëse duan që të përputhen me mesataren e BE-së deri në fund të viteve 2030. Pas rreth një dekade pa kurrfarë rritjeje, të dhënat aktuale me vështirësi të madhe e kalojnë 3%, shumë të ulëta në krahasim me targetin e vendosur. Megjithatë, një nivel i krahasueshëm i PBB-së për frymë është ai që do të duhej për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Përkundrazi, hendeku po rritet, gjë kjo që po e ekspozon edhe më shumë rajonin ndaj tundimeve populiste, nacionaliste dhe rrymave të tjera antieuropiane. Politika e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor ka qenë një histori dështimi. Dhe një fakt i tillë duhet të pranohet, edhe nëse Brukseli do të theksojë hapjen e kapitujve të rinj negociues me Malin e Zi dhe Serbinë, ose Samitin e katërt të Ballkanit Perëndimor, duke sjellë së bashku anëtarët kryesorë të BE-së me kandidatët e pranimit në Trieste më 12 korrik (si pjesë e Procesit të Berlinit). Të shumtë janë ata në rajonin e Ballkanit që bien dakord me dyshimin se Brukseli tregon interes vetëm kur krizat lokale kërcënojnë vetë Bashkimin Europian, si çështja e emigracionit, si një ndër burimet kryesore të krimit të organizuar dhe terrorizmit islamik, apo konfliktin e Perëndimit me Moskën. Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë zbatuar gjerësisht reformat themelore të kërkuara nga Bashkimi Europian, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nën të ashtuquajturin “Konsensus i Uashingtonit”. Ata i kanë hapur tregjet e tyre ndaj Bashkimit Europian, privatizuan dhe liberalizuan ekonomitë e tyre dhe vendosën politika shtrënguese. Ideja që fshihet pas Konsensusit të Uashingtonit ka të bëjë me reformat, në përputhje me miratimin gradual të ligjeve, parimeve dhe aktiviteteve të BE-së, për të krijuar ekonomi të tregut dhe për të hapur rrugën për anëtarësimin në BE.

Exit mobile version