Zgjidhje politike për luftën ndaj krimit dhe drogës

Në një intervistë mediatike, kreu i PD, Lulzim Basha ka folur mbi rolin e qeverisjes teknike si dhe garancitë që ajo do të duhet të japë për krijimin e të gjitha kushteve për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Sa i përket qeverisë teknike, ajo do të ketë një mandat të fuqishëm politik që të mbështetet nga të gjitha forcat politike. Pra, jo një qeveri e njërit apo e tjetrit, por me mbështetje të fuqishme nga forcat kryesore politike për të ekzekutuar gjëra që kjo qeveri nuk ekzekuton dot, sepse është në konflikt interesi, gjëra siç janë; Dekriminalizimi. Largimi i personave me rekorde kriminale që janë akoma në Parlament dhe kryetarë bashkish dhe drejtorë e funksionarë të lartë të shteti. Ligji është, por ligji nuk po zbatohet. Së dyti, një luftë të vërtetë kundër drogës, parave të drogës që po hidhen për të kapur përfundimisht Shqipërinë dhe për ta kthyer në një republikë të krimit. Dhe së treti, kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme për të cilat ne kemi një propozim të detajuar, të gatshëm për ta diskutuar me kundërshtarët tanë politikë, në tryezën e dialogut, kur të vendosim qeverisjen teknike. Dhe, së katërti, zbatimin e Reformës në Drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut. Këto janë propozimet tona, t’i diskutojmë këto, me kundërshtarët tanë politikë dhe këdo tjetër, me qëllim që t’i japim Shqipërisë një zgjidhje politike të problemit të madh të krimit dhe të drogës në raport me zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Përmendët sistemin, është e vërtetë që sistemi është vepër e Partisë Demokratike dhe e Partisë Socialiste nuk ka asnjë dyshim për këtë. Personalisht kam rezerva. Rezervat e mia nuk kanë të bëjnë me formulën, sepse kjo formulë funksionon në Spanjë, me proporcional kombëtar në Holandë, ku unë kam jetuar disa vite, por nuk funksionon këtu, jo për shkak të formulës, por për shkak të krimit, të diktimit që krimi dhe kriminelët bëjnë për shkak se u janë hapur dyert. Nuk ishte krimi që kapi prej xhakete Edi Ramën, ishte Edi Rama që i zhbiriloi, i nxori nga skutat e errëta dhe i tha, ejani, futuni në listë. E njëjta gjë mund të ndodhë me çdo sistem. Në çdo sistem mund të ndodhë e njëjta gjë, nëse ne nuk ndahemi me krimin. Ndarja me krimin është sfida e parë dhe beteja e parë që duhet fituar që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme”, shprehet kreu i PD, Basha. Në lidhje me emërimin e Xhafës në postin e ministrit të Brendshëm, Basha tha se ky akt është një “Krimi i rëndë që i bëhet Shqipërisë dhe shqiptarëve në vitin 2017, gjëma që çdo shqiptar do ta shohë dhe ta kuptojë dhe duhet të reagojë, është fakti që kemi të bëjmë me një person, i cili e ka fshehur së pari, se ka qenë hetues i Sigurimit të Shtetit dhe i Hetuesisë politike, që ishte njësoj me Sigurimin e Shtetit, dhe së dyti, në kapacitetin e tij si hetues, jo thjesht ka bërë detyrën, por është akuzuar drejtpërdrejtë nga viktimat e tij për tortura çnjerëzore. Kjo meriton një përgjigje mbarëpopullore, por nëqoftëse Edi Ramës dhe patericës së tij Ilir Meta, nuk iu bën përshtypje kjo, dhe ecin përpara me vendimin për të patur një person të tillë në krye të Ministrisë së Brendshme, ky është gjesti më i qartë se çfarë kanë ndër mend dhe çfarë duan të bëjnë me vullnetin e shqiptarëve dhe padyshim për këtë do të marrin pëgjigjen që meritojnë”, shprehet Basha.

Artikulli paraprakSimeone: Asnjëherë te Reali
Artikulli tjetërBarcelona në dilemë, mes Dybala e Griezmann