Zgjohet “VOA”: Është shtuar aktiviteti i narkotrafikut

“Zëri i Amerikës” ka pasqyruar ngjarjet e fundit për trafikun e drogës nga Shqipëria në Greqi, duke pohuar se është shtuar aktiviteti i narkotrafikut.
Policia greke bllokoi sasi të reja të marijuanës nga Shqipëria. Sipas burimeve zyrtare rreth 175 kilogramë marijuanë u bllokuan në Igumenicë, ndërsa transportuesi i lëndës narkotike, një 44-vjeçar nga Saranda, u arrestua.
Lënda narkotike sipas policisë greke, ndodhej në bagazhin e një automjeti, e paketuar në 40 pjesë, rreth 4 kilogramë secila. Një ditë më parë autoritetet greke publikuan rezultatet e një operacioni të gjerë që u ndërmor prej së enjtes dhe në fundjavë nga forcat e antidrogës greke në zonë e Atikës.
Sipas deklaratës së bërë nga drejtori i Divizionit të Sigurisë së Atikës, Kristo Papazafiri u arrit të goditeshin dy grupe kriminale, të cilat ishin aktive në trafikimin e sasive të mëdha të kokainës dhe marijuanës së papërpunuar. Sipas zyrtarit grek, sasia e drogës paketohej dhe ruhej në rajonin e Atikës, e cila ishte një qendër tranziti për lëvizjen e marijuanës nga Greqia në të gjithë Evropën.
Policia greke ka pohuar se marijuana vinte nga Shqipëria dhe gjatë hetimeve u zbuluan mbi një ton e gjysmë lëndë narkotike dhe u arrestuan shtatë persona. Nga hetimet doli se anëtarët e organizatës kriminale, pasi e paketonin dhe përpunonin lëndën narkotike e transportonin duke përdorur kamionë në linjat ndërkombëtare të transportit në Holandë, Gjermani dhe Belgjikë.
Ndërsa grupi tjetër kriminal i goditur, sipas policisë greke, ishte përfshirë në importimin e sasive të konsiderueshme të kokainës nga vendet e Evropës Perëndimore në Greqi, me kamionë të transportit ndërkombëtar.
Policia greke tha se konfiskoi më shumë se 28 kilogramë kokainë, të cilat janë identifikuar me ndihmën e rojes bregdetare greke në një kamion në Portin e Patras, ndërsa katër persona janë arrestuar. Sipas policisë greke dy nga personat e arrestuar, një djalë 31 vjeç dhe një vajzë 33 vjeç, janë nga Shqipëria, shkruan “VOA”.

Artikulli paraprakAleanca me këdo që është kundër krimit, drogës dhe për zgjedhje të lira
Artikulli tjetërRrudhja e PS në vetëm 58 deputetë