Fitorja e titullit kampion për Interin do të sillte në xhepat e lojtarëve disa mijë euro. Presidenti Stiven Zhang do të shpërndajë një premio 3 milionë euro, dyfishin e asaj që futbollistët përfituan pas fitores së Superkupës së Italisë.
Lajmin e bën të ditur “Gazzetta Dello Sport” që raporton se ky është një stimul më shumë për lojtarët e Inzagit, edhe pse dëshira më e madhe është fitorja në derbin e Milanos. Sigurisht që premio nuk do të shpërndahet e barabartë për të gjithë lojtarët, por sipas asaj që kanë të shkruar në kontratat e tyre.
Fitorja e titullit nga ana e zikaltërve është një mundësi e mirë ekonomike pasi do të merrte disa miliona nga Liga e Serisë A, por edhe nga UEFA. Interi do të kishte një sezon të shkëlqyer edhe në aspektin ekonomik në Champions, por për fat të keq u eliminua në Ligën e Kampionëve kundër Atletikos së Madridit me 11-metërsha.