Zhdukja e Jan Prengës/ Mbërrin në Shqipëri letërporosia, do të merren në pyetje Astrit Prenga dhe Gëzim Shullani

Në Gjykatën e Posaçme vijon seanca gjyqësore për çështjen e vrasjes, rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës, ku të pandehur janë Dritan Rexhepi dhe Aldo Majnishta.

Gjatë seancës, Gjykata ka bërë të ditur se ka mbërritur në Shqipëri një letërporosi që lidhet me marrjen në pyetje të dy dëshmitarëve, Astrit Prenga, vëllai i viktimës, dhe Gëzim Shullani.

Sipas përmbajtjes së letërporosisë, autoritetet britanike kërkojnë më shumë informacion përpara se të procedojnë me marrjen në pyetje të dëshmitarëve:

“Para se të rishqyrtojmë kërkesën tuaj, duam të dimë statusin penal të personave që do të dëshmojnë, detaje mbi pyetjet që do t’u bëhen, akuzat për të cilat kërkohen dëshmitë, si dhe sesi dëshmia e tyre mund të shërbejë në hetimin e SPAK”, thuhet në letërporosi.

Në të njëjtën letërporosi, theksohet se policia britanike do të ngarkohet për marrjen e dëshmive, duke u bazuar në pyetjet që do t’u vihen në dispozicion nga autoritetet shqiptare.

Artikulli paraprakMatura Shtetërore/ Karabina: Dalja e tezës humb besueshmërinë, tregues i problemeve të thella në arsimin parauniversitar
Artikulli tjetërMjerimi intelektual në të cilin e katandisi PD-në Berisha