Zhdukja e pronës private në Shqipëri, 1943-1961

 

Formacioni i parë partizan, serioz (brigadë), u formua me mbështetjen logjistike të misioneve britanike në Shqipëri (15 gusht 1943). Më 9 shtator 1943, Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (një nga emrat pas të cilëve fshihej PKSH-ja) e miratoi një rregullore për sigurimin e burimeve mbështetëse për forcat partizane. Me këtë rregullore filloi lufta e komunistëve kundër pronës.

Nga Çelo Hoxha

Komunistët shqiptarë e dinin që populli nuk e donte dhe përse nuk e donte komunizmin, prandaj u kujdesën ta theksonin se kur të vinin në pushtet, prona private dhe iniciativa private nuk do të prekeshin, se organizimi i punës do të mbetej i njëjtë dhe se nuk do të kishte ndryshime radikale në jetën sociale. Mirëpo, kur e morën pushtetin (28 nëntor 1944), ata nuk u shqetësuan për t’u qëndruar besnikë premtimeve, të cilat i kishin bërë publikisht disa herë, me vullnetin e tyre të lirë. Ligjet e para që i bënë, synuan përmbysjen e sistemit ekonomik, ashtu që brenda një dekade e gjysmë prona private u asgjësua krejt, iniciativa e lirë në biznes u zhduk, marrëdhëniet e punës u transformuan rrënjësisht dhe jeta sociale pësoi ndryshime radikale. Ndryshim rrënjësor pësoi dhe hipokrizia e komunistëve, e cila, pas marrjes së pushtetit prej tyre, u kthye në arrogancë. Ata e shkelën kushtetutën e tyre po aq brutalisht, sa dhunuan pronën private e iniciativën private, si dhe gjithçka tjetër.

Faza e parë e luftës kundër pronës (9 shtator 1943-28 nëntor 1944)

Më 30 gusht 1941, Moska i orientoi, përmes Kominternit, partitë komuniste të botës të ndërmerrnin hapa konkretë në ndihmë të Bashkimit Sovjetik, i cili ishte sulmuar ushtarakisht nga Gjermania (22 qershor 1941). Synimi ishte çorganizimi i prapavijave të armikut dhe demoralizimi i forcave të tij. Në telegrame individuale për drejtuesit e partive komuniste, direktivat ishin specifike dhe me ton ushtarak. Atyre u kërkohej të organizonin, pa vonesë, njësi partizane dhe të nisnin, urgjentisht, sulme partizane në prapavijat e armikut.

Në Shqipëri kishte simpatizantë të komunizmit, por jo një parti komuniste. Kështu Partia Komuniste Shqiptare (PKSH) u krijua me direktivë të Kominternit dhe me mbështetjen e komunistëve jugosllavë (8 nëntor 1941), ndërsa njësitë partizane u formuan një vit më vonë.

Me idelogjinë të importuar nga Moska dhe drejtuesit nga Partia Komuniste Jugosllave (PKJ), PKSH-ja ishte e huaj për shqiptarët. Për këto arsye, çetat partizane ishin të rralla, të vogla, të ilzoluara në zona rurale dhe pa burime. Ato mbijetonin me grabitje dhe rekrutim kriminelësh, që bëhej me orientimin e udhëheqjes më të lartë të PKSH-së.

Formacioni i parë partizan, serioz (brigadë), u formua me mbështetjen logjistike të misioneve britanike në Shqipëri (15 gusht 1943). Më 9 shtator 1943, Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (një nga emrat pas të cilëve fshihej PKSH-ja) e miratoi një rregullore për sigurimin e burimeve mbështetëse për forcat partizane. Me këtë rregullore filloi lufta e komunistëve kundër pronës. Në parim, rregullorja parashikonte tri mënyra për sigurimin e furnizimeve për ushtrinë partizane: ndihmat, rekuizimet dhe sekuestrimet, por në realitet u përdor vetëm një – forca. Rregullorja parashikonte që këshillat nacionalçlirimtare, në bashkëpunim të ngushtë me komandat e ushtrisë partizane, ta përgatisnin popullin për sakrifica në ndihmë të luftës partizane. Thënë ndryshe, populli kërcënohej t’i bindej ushtrisë partizane. Rregullorja parashikonte që këshillat nacionalçlirimtare, me kërkesën e komandave partizane, mund të bënin rekuizime nga qytetarët e pasur. Rekuizimi ishte marrja e mallit, me premtimin për t’u paguar pas lufte, ndonëse nuk ka gjurmë që rekuzimet u paguan ndonjëherë. Sekuestrimet ishin të orientuara kundër “aqmiqve të popullit”. Përcaktimin se kush ishte armik i popullit e kush jo, e bënin këshillat nacionalçlirimtarë. Koncepti i armikut të popullit u përdor kundër gjithë kundërshtarëve të komunizmit, realë e potencialë.

Rregullorja nuk kishte asnjë lloj autoriteti juridik, edhe sikur të respektohej, por për të kuptuar marrëdhënien e komunistëve me pronën e të tjerëve dhe rregulloren (ligjin) po sjellim një shembull. Më 8 nëntor 1943, Enver Hoxha, sekretar politik i PKSH-së dhe komisar politik i ushtrisë partizane, i shkruante një komunisti tjetër se njerëzit e tij i kishin kërkuar bereqet Ibrahim Biçakut, një nga njerëzit më të pasur në Shqipëri, por ai nuk kishte pranuar t’u jepte dhe ata ia kishin marrë me forcë. Për të kuptuar sa lart në hierarkinë e PKSH shkonte abuzimi, duhet pasur parasysh që Hoxha ishte shqiptari me më shumë pushtet në PKSH. Më të pushtetshëm se ai në PKSH ishin dy përfaqësuesit e PKJ-së pranë PKSH dhe Tito, drejtuesi i PKJ-së.

Rekuizimi dhe sekuestrimi kanë qenë historikisht dhe vazhdojnë të jenë koncepte juridike që përkufizojnë veprime të posaçme në lidhje me pronën, të cilat i kryejnë entitete të ngarkuara me autoritet ligjor. Në mungesë të autoritetit ligjor, rekuizimi dhe sekuestrimi partizan ishin përvetësim i paligjshëm i pasurisë së qytetarëve.

Faza e dytë e luftës kundër pronës private (28 nëntor 1944-20 prill 1946)

Me zaptimin e institucioneve nga komunistët, grabitja e pronës u bë në emër të shtetit, por, pavarësisht mantelit institucional, regjimi i ri nuk mundi ta fshihte krejtësisht karakterin e banditesk të veprimeve të tij. Me ligjet e para u shënjestruan thuajse ato sende që lakmon hajduti në një supermarket: paratë e thata, metalet e çmuara, mallrat e konsumit. Kështu brenda një muaji, regjimi komunist nxori ligje për grumbullimin e monedhës në qarkullim nga tregtarët, ligje për vendosjen nën kontroll “të shtetit” të industrive, të shoqërive tregtare, të tregtisë e jashtme, metaleve të çmuara, si dhe ligje për konfiskimin e pasurive private të të arratisurve politikë, shtetasve italianë e gjermanë etj..

Komunistët nuk tatonin. Ata merrnin gjithçka. Me ligjin për tatimin e jashtëzakonshëm të fitimeve të luftës (13 janar 1945) regjimi mblodhi afërsisht 92% të shumës totale të fitimeve që llogaritej se tregtarët e kishin realizuar gjatë periudhës 7 prill 1939 – 28 nëntor 1944.

Ligjet e regjimit komunist në fushën ekonomike synonin dobësimin në maksimum të pozitave ekonomike të tregtarëve, të industrialistëve, pronarëve të tokës dhe, në përgjithësi, pronarëve të çdo lloji. Lënia e kapitaleve në duart e tyre shihej si burim i mundshëm financimi për veprimtari kundër pushtetit politik.

Me marrjen e instuticioneve nën kontroll, veprimtaria e komunistëve e çoi të keqen një hap më tej se krimi. Hajdutët kanë synuar historikisht përmirësimin e nivelit ekonomik të tyre, por jo shkatërrimin e sistemit ekonomik ekzistues. Për dallim nga kolegët e tyre në botën e krimit, komunistët e kaluan atë kufi.

Faza e tretë e luftës kundër pronës private (20 prill 1946 – 13 shkurt 1961)

Zhdukja e pronës private në industri dhe tregti ishte proces linear, i rrufeshëm: dilte ligji, e merrnin në dorë specialistët “e shtetit”, ndërsa fundi i pronës private ishte çështje ditësh.

Në bujqësi, i njëjti proces u krye me dy faza dhe zgjati 15 vjet: në fazën e parë u shpronësuan pronarët e mëdhenj dhe të mesëm, kurse në fazën e dytë secili që zotëronte tokë. Shpronësimi i tokës në fazën e parë u quajt reformë agrare, ndërsa në të dytën kolektivizim. Kolektivizimi nisi më 20 prill 1946. Tre vjet më vonë, regjimi ishte i pakënaqur me ritmin e krijimit të kooperativave, andaj për t’i dhënë hov, e sajoi çështjen e kulakëve. Kulakët ishin pronarë toke të ligjshëm, të cilët e zotëronin tokën në përputhje me ligjin e reformës agrare (1945), por regjimit i duhej një justifikim për t’i nxitur fshatarët të hynin në kooperativë, me anë të mekanizimit të frikës. Propaganda e regjimit i identifikoi kulakët si entitet armiqësor ndaj regjimit komunist dhe organet e dhunës i goditën pa mëshirë, me të gjitha format: ekzekutim, burgim, internim dhe, për çdo rast, shpronësim. Kulaku, referuar propagandës zyrtare, ishte kundërshtar i rreptë i kolektivizimit, i modernizimit të bujqësisë, i mirëqenies së fshatarit… i gjithçkaje. Në fakt, lufta kundër kulakëve u bë për t’i përcjellë një mesazh masës së gjerë të fshatarëve dhe ata nuk zhgënjyen – brenda një dekade të gjithë fshatarët ia dorëzuan tokën regjimit. Në shkurt 1961, PKSH-ja shpalli përfundimin me sukses të kolektivizimit në bujqësi.

Realizimi i plotë i kolektivizimit do të thoshte që gjithë fshatarësia u shpronësua dhe kaloi në varësi totale të shtetit. Thënë ndryshe, kolektivizimi ishte kapitullim kolektiv përballë regjimit.

Në Kongresin IV të PPSH (shkurt 1961), drejtuesit më të lartë të regjimit komunist deklaruan se tashmë në Shqipëri ekzistonin veç dy lloje të pronës: prona shtetërore dhe prona kooperativiste. Prona private u zhduk si praktikë ekonomike dhe, madje, si instrument gjuhësor në ligjërim.

Ndonëse kushtetuta shqiptare vazhdoi të sanksiononte, deri më 1976, se prona private dhe iniciativa private ishin të garantuara, por pas shpronësimit total të popullsisë, nuk kishte kush kurajë ta artikulonte me zë të lartë ironinë.

Exit mobile version