Zhgënjen Interi, pikë për shqiptarët

Nuk ka paqe për Interin. Skuadra zikaltër regjistron një tjetër humbje, këtë herë në Europa League pasi u mund 2-1 nga Southampton duke u zhytur në fund të Grupit K. Italianët kaluan të parët në avantazh me kapitenin Mauro Icardi, por gjatë pjesës së dytë, bardhekuqtë shënuan dy gola, fillimisht me Van Dijk dhe më pas me një top të shtyrë në rrjetën nga japonezi Nagatomo. Pas kësaj disfate, Interi mban vendin e fundit me 3 pikë në grupin që udhëhiqet nga Sparta e Pragës që mundi në Çeki 2-0 izrealitët e Hapoel Ber Sheeva. Southampton renditet në vendin e dytë duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt fazës tjetër.
Në Grupin L, Zyrihu i Burim Kukelit nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola ndaj Steauas së Bukureshtit. Skuadra zvicerane ku mesfushori kuqezi u aktivizua titullar, nuk arriti të siguronte një fitore që do të rriste shpresat e kualifikimit pasi mban vendin e 2 me 5 pikë, po aq sa Villarreal që u mund 2-1 në “El Madrigal” nga Osmanlispor. Webo e Rucescu shënuan për skuadrën turke, ndërsa panjollëve nuk u mjaftoi goli i Hernandez. Titullar u aktivizua edhe një shqiptar që siguroi një fitore mjaft të rëndësishme në Selanik kundër PAOK-ut.
Ansi Agolli u aktivizua 90 minuta në suksesin 1-0 të Karabakut në Greqi. Azerët ngjiten në vendin e dytë të Grupit J ku kryeson Fiorentina me 10 pikë pas fitores 3-0 ndaj Slovan Liberec me golat e Iliçiç, Kaliniç e Cristoforo. Në Grupin I, Salsburg bëri goditjen e madhe në fushën e Nice me dy gola të shënuar nga Hee-Chan Hwang, ndërsa Schalke kaloi me po të njëjtin rezultat rusët e Krasnodar që vazhdojnë të mbeten në vendin e dytë pas gjermanëve që kryesojnë me pikë të plota. Në Grupin H, Shakhtar Donetsk arriti fitoren e 4 rresht pasi mundi 5-3 Gent në Belgjikë, ndërsa Braga kaloi 2-1 Konyaspor dhe u ngjit në vendin e dytë të klasifikimit. Ndeshja spektakolare edhe në Amsterdam ku Ajaxi triumfoi 3-2 ndaj Celta Vigos, ndërsa Standard Liegge dominoi Panathinaikos 3-0 në Athinë.
Në Vjenë, Austria u dorëzua përballë Romës që triumfoi me rezultatin e thellë 4-2. Italianët e pësuan golin që në minutat e para, por arritën të kthenin ndeshjen në favorin e tyre me Dzekon e De Rossin. Dy golat e tjerë u sigluan në pjesën e dytë me Dzekon dhe Nainggolan. Vendasit realizuan edhe rrjetën e dytë në minutat e fundit të takimit.

Exit mobile version