Në fund të sezonit të kaluar, menjëherë sapo Chelsea përfundoi festën e titullit, Antonio Conte i komunikoi sulmuesit kryesor të tij, Diego Costës se nuk ka vend më për të në ekip dhe se duhet të gjejë një “strehë” tjetër. Menjëherë ndaj brazilianit, që përfaqëson Spanjën në aktivitetet ndërkombëtare, vërshuan ofertat, por Costa e kishte ndarë mendjen, të rikthehej te Atletico Madrid. Ky vendim i brazilianit bëri që të shpresonte shumë edhe klubi i Evertonit, që kishte planifikuar të mbante Diego Costën në Angli, të paktën deri në muajin janar.
Madje Everton shkoi edhe më tej, duke lënë të lirë numrin 19, aq shumë i preferuar nga braziliani, por vendimi final i Diego Costës zhgënjeu klubin anglez, që shikonte te ish-sulmuesi i Chelsea, zëvendësuesin ideal të Romelu Lukakut.
Përfundimisht, Diego Costa vendosi të transferohet në Madrid, ku do të stërvitet deri në muajin janar dhe më pas të bëhet zyrtarisht futbollist i Atleticos së Simeones.