Zhurma rentiere e “drejtësisë së Ramës”

Dr Fatmir Terziu

“Nuk është e vërtetë,” tha prifti, “për të pranuar gjithçka si të vërtetë, duhet ta pranojmë atë që duket vetëm si e domosdoshme”.
“Një përfundim melankolik,” tha K. “Ajo bëhet zhurmë për këtë parim universal”. (Franz Kafka, “Gjykimi”)
Ditët e fundit, jo kaq pak sa të thuhet si ditë aritmetike, “për të pranuar gjithçka si të vërtetë” rend-a-turret qeverisht të bëhet punë “drejtësie”. Punë drejtësie me zhurmë të re. Zhurmë që ngrihet e ulet në kahun pozitar. Zhurmë që ka zëvendësuar “mushkonjat” që s’dihet se ku kanë tashmë itinerar. Zhurmë që ka vetëm një qëllim dhe ende nuk ka ndonjë përfundim. “Një përfundim melankolik”, një togfjalësh që do ta shkëpuste vetë Kafka, si të dobishëm për këtë lëvizje e për ta vendosur si kryeradhë tek “Gjykimi”. Kaq do t’i duhej shtetit shqiptar. Kaq do ti mjaftonte Qeverisë. Partisë në pushtet. Politikanëve të saj. Deputetëve me rrjesht. Kafenevë dhe mediave plot qejf. Qejf o qerata … deri tek “Gjykimi”.
Se kështu bëhet shtet. Se kështu vjen era pushtet! Kjo është “drejtësi”! dhe zhurma ka efekt… edhe në gjuhën e përditësisë dhe fakteve të drejtësisë “Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj dhe nënkryetari i kësaj bashkie, Enver Hafizi, janë arrestuar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës”.

Drejtori i Policisë së Lezhës, Ferdinand Mara, tha se në këtë operacion janë ndaluar edhe 10 persona të tjerë, mes tyre edhe zyrtarë të bashkisë.
Të gjithë dyshohet se janë të përfshirë në skandalin e pronave tek zona e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin. Kaq duhej në fakt të bëhej dhe realizohej zhurma. Kaq duhej të zbriste menjëherë zhurma në kafenetë e tymta. Kaq duhej të zbraseshin batare fjalësh nga politika. Nga pozita. Nga ndasitë që të shpien tek “opozita”. Nga mërritë e reja e të vjetra. Aspak nga e vërteta. Aspak… Pasi Kafka e ka thënë me kohë atë që është e saktë: “Nuk është e vërtetë,” tha prifti, “për të pranuar gjithçka si të vërtetë, duhet ta pranojmë atë që duket vetëm si e domosdoshme”.
Cila është e domosdoshmja? A nuk është ajo që duhet të jetë në fakt vetë e vërteta? Ku është vërtetuar të paktën një grimë e saj? E gjitha është në krizë. I gjithë shteti është në krizë. Gjithshka vetëm yshtet që zhurma të lëvizë. Kjo bëhet e qartë nga vetë fakti që tregohet me veprimet institucionale. Duket qartë nga ndikimi.
Ndikimi është thellë si krizë më vete dhe tek marëdhëniet e thelluara qeveritare-opozitare, si një krisje e qartë politike, po aq dhe ndoshta më shumë sa ndikimi që është tek vetë kriza e zgjatur ekonomike.

Atëherë si ndikojnë institucionet e krijuara nga shteti në marrëdhëniet qeveritare-opozitare gjatë krizave të zgjatura ekonomike?
Studimet e përshtatjes ekonomike dhe liberalizimi politik shpesh supozojnë se krizat ekonomike nxisin trazira politike. Rritja e pakënaqësisë popullore mbi rënien e standardeve të jetesës mund ta bëjë më të lehtë punën për kundërshtarët politikë të mobilizojnë pakënaqësinë popullore dhe të shtyjnë kërkesat politike. Problemet e thelluara ekonomike gjithashtu krijojnë fitues të rinj dhe humbës në mesin e elitave politike. Këtë më shumë se kurë duket se e ka mësuar vetë Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, që pos veprimeve të nxituara ka lënë të kuptohet se është tamam koha e duhur për të bërë zhurmën e “drejtësisë”.
Kjo në fakt është e vetmja mënyrë për të mbyllur veshët e problemeve ekonomike dhe për të shpuar vathë modernë e postmodernë në veshët e diktuara të “drejtësisë politike”. Sakaq, duke përfituar dhe nga pjesa tjetër e ndarë e opozitës, ajo pjesë që nuk pajtohet me situatën e sotme të reflektimit politik të Lulzim Bashës për një strategji të re, duket se zhurma ka altoporlantët e vetë që janë në mjaft instanca.

Zëra të shumtë kundërshtarë, alegorikë, kritikë, opozitarë brenda opozitës, zëra … të paktën pak a shumë të tillë janë jo më pak e më shumë se “politika rentiere” (politika e qerasë), kjo një politikë që ka bazën tek kuleta, detyra dhe rroga, zyra dhe mjaft gjëra të tjera që flasin qartë dhe drejtë tek fatura: “nuk do të flisja po isha deputet!”.
Të gjithë këta opozitarë, jo-deputetë, tashmë janë edhe vetë zhurma që plotëson korin e drejtësisë politike. Zhurma që ngjan si vetë gjetja “melankolike”, të cilën e formësoi mjaft qartë Kafka i madh. Atëherë kush është në hall?
Nga kjo gjendje, koalicione të reja të kundërshtarëve politikë mund të afrohen, mund të formojnë lidhje më të fuqishme, duke mobilizuar frustrimin popullor për të kërkuar ndryshime politike. Kjo nuk është larg. Është dhe mbetet fakt. Është në prag. “Nuk është e vërtetë,” tha prifti, “për të pranuar gjithçka si të vërtetë, duhet ta pranojmë atë që duket vetëm si e domosdoshme”. “Një përfundim melankolik,” tha K. “Ajo bëhet zhurmë për këtë parim universal.” (Franz Kafka, “Gjykimi”)

Artikulli paraprakNikollë, Rilindja të lejon të vjedhësh, të bësh drogë, para e çdo krim tjetër. Vetëm të mendosh e flasësh lirisht në publik, JO!
Artikulli tjetërRama pas arrestimit te Frrokut