Kryetari i Bashkisë së Tiranës vazhdon që të zhvasë pronat publike, duke ia dhënë privatit apo betonizuar. Pas këndit të lojërave në Liqenin Artificial, Erion Veliaj ka bërë parkime edhe dy sheshe që fare mirë mund t’i ktheheshin qytetarëve, në formën e parqeve. “Boldneës.al” disponon dokumentet e këtyre projekteve, ku mësohet se do të bëhen parkime publike fushat e sportit në Qytetin “Studenti” dhe oborri i Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Sipas të dhënave, Veliaj ka hapur procedurën për “Punime civile për ndërtimin e parkimit tek Pallati i Sportit ‘Asllan Rusi’ Tiranë, në vlerën 37,949,577 lekë pa TVSH. Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin. Ndërkohë, janë hapur punime për ndërtimin e parkimit tek fusha e sportit Qyteti ‘Studenti’ në Tiranë, në vlerën 39.904.585 lekë. Të dyja projektet do të kushtojnë 77.854.162 lekë”.
Fushat në Qytetin “Studenti”
Sipas dokumenteve, ndërtimi i këtij parkimi ka për qëllim sistemimin e autobusave që do të bëjnë linjat e transportit interurban. Gjithashtu pjesë e këtij parkingu do të jetë dhe pjesa e parkingjeve me pagesë për autoveturat, e cila do të shfrytëzohet për nevojat urbane. Ky parkim do të ndërtohet në rr. “Arben Broci” në Tiranë, pranë Qytetit “Studenti”. Sheshi i parkimit kufizohet me rrugën “Arben Broci” në pjesën veriperëndimore nga ku do të bëhet edhe hyrja për në parking, si dhe në pjesën jugore dhe kufizohet me rr. “Gramoz Pashko”. Në pjesën lindore prona kufizohet me ambiente të Qytetit “Studenti”. Parkimi si pjesë integrale e objektit do të ketë zonën e pritjes së pasagjerëve, tualete publike të ndara për meshkuj dhe femra, si dhe për persona me aftësi të kufizuar. Rrethimi i parkingut do të realizohet nëpërmjet bordurave të betonit, si dhe trotuareve në të cilën do të kalojnë këmbësorët. Hyrja dhe dalja nga parkingu i autobusave do të bëhet nëpërmjet një trau elektrik, i cili do të monitorohet nga menaxheri i parkingut, i cili do të ketë dhe ambiente në të cilën do të kryejë gjithë procedurat e regjistrimit të orareve të hyrjes dhe daljes së autobusave dhe kohën e qëndrimit në parking. E njëjta metodë kontrolli do të ndiqet dhe për zonën e parkingut të autoveturave.
Sheshi te “Asllan Rusi”
Në dokumentet e siguruara nga “Boldneës.al” thuhet se, ndërtimi i këtij parkimi ka për qëllim sistemimin e autobusave që do të bëjnë linjat e transportit ndërkombëtar, si dhe sistemimin e agjencive të tyre brenda hapësirës së këtij parkingu. Gjithashtu, pjesë e këtij parkingu do të jetë dhe pjesa e parkingjeve me pagesë për autoveturat, e cila do të shfrytëzohet për nevojat urbane. Ky parkim do të ndërtohet në sheshin para dhe pas ndërtesës së Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, në rrugën “Artan Hoxha” Tiranë. Sheshi i parkimi është i vendosur në pjesën verilindore të truallit, i cili kufizohet me rrugën “Artan Hoxha”, gjë e cila shërben dhe si hyrje për në parking, si dhe në pjesën jugperëndimore dhe kufizohet me disa prona private. Parkimi si pjesë integrale e objektit do të ketë zonën e pritjes së pasagjerëve, tualete publike të ndara për meshkuj dhe femra, si dhe për persona me aftësi të kufizuar. Rrethimi i parkingut do të realizohet nëpërmjet bordurave të betonit, si dhe trotuareve në të cilën do të kalojnë këmbësorët. Kjo është për pjesën e parkingut të autobusave. Sa i takon zonës së parkingut me pagesë për autoveturat, e cila do të funksionojë e tillë në ditët normale, ndërsa në rastet kur do të zhvillohen aktivitete sportive apo kulturore ajo do të ruajë funksionin e mëparshëm, duke i shërbyer pikërisht atij qëllimi. Rrethimi i kësaj zone do të realizohet pjesërisht me trotuare në të cilën do të kalojnë këmbësorët dhe në pjesën ballore do të rrethohet me kangjella metalike.
Hyrja dhe dalja nga parkingun e autobusave do të bëhet nëpërmjet një trau elektrik, i cili do të monitorohet nga menaxheri i parkingut, i cili do të ketë dhe ambientin në të cilin do të kryejë gjithë procedurat e regjistrimit të orareve të hyrjes dhe daljes së autobusave dhe kohën e qëndrimit në parking. E njëjta metodë kontrolli do të ndiqet dhe për zonën e parkingut të autoveturave.