Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, është i vetëdijshëm për rrezikun që Barcelona me Lionel Messin mund t’ia sjellë skuadrës së tij në El Clasicon e së mërkurës, mirëpo insiston se edhe Los Blancos i kanë armët e tyre të forta.
Top dy skuadrat e La Ligës do të përballen në stadiumin Camp Nou në mesjavë. Barcelona e kryeson tabelën vetëm për shkak të dallimit në gola, pasi dy skuadrat i kanë grumbulluar nga 35 pikë nga 16 xhirot e para në sezonit 2019/20.
Barcelona u mbajt me barazim 2:2 në Anoeta nga Real Sociedadin në ndeshjen e fundit, ndërsa Real Madridi e humbi mundësinë për ta marrë kreun e tabelës kur u ndal me barazim 1:1 nga Valencia në Mestalla.
Lionel Messi nuk shënoi gol në ndeshjen e fundit të Barcelonës, megjithatë gjashtë-herë fituesi i Topit të Artë ka arritur t’i shënojë 12 gola në 11 paraqitje në La Liga këtë sezon, përkundër që ishte penguar nga disa lëndime në fillim të sezonit.
Duke folur para El Clasicos në një konferencë për shtyp, Zidane u shpreh i vetëdijshëm për ndikimin që Messi e ka në fushën e lojës, përderisa paralajmëroi se lojtarët janë plotësisht të përgatitur dhe të lumtur për sfidën që e kanë para vetes.
“Duhet ta shijojmë, po, është ndeshje futbolli. Ne do të luajmë 11 kundër 11, si dhe zëvendësimet. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Ne e dimë kundër kujt do të luajmë. E dimë që ata e kanë Messin, por edhe ne i kemi armët tona”, ka thënë Zidane.
“Ne vetëm duam ta kemi një ndeshje të mirë. Gjëja më e rëndësishme është të jemi të përgatitur dhe ne jemi të përgatitur. Nuk po shqetësohem për asgjë”.
“Ne jemi të gjithë të lumtur që kemi mundësi të luajmë në një ndeshje të tillë. E mbaj mend kur unë luaja në El Clasico, ishte një ndeshje për të cilën ia vlen të jetosh. Ne po përqendrohemi vetëm te ndeshja”. El Clasico ishte shtyrë nga data origjinale, 26 tetor, më 18 dhjetor, për shkak të shqetësimeve për siguri në mes të protestave politike në Katalonjë. Pasi që protestat po vazhdojnë ende, dy palët e lojtarëve do të qëndrojnë në të njëjtin hotel në orët para ndeshjes.