Zidane flet për finalen e Champions: Ja çfarë më shqetëson nga Liverpool

Zinedine Zidane ishte protagonisti i parë i Ditës së Hapur të Medias, disa ditë para përfundimit të Ligës së Kampionëve, teksa do të luajë finalen kundër Liverpool-it në Kiev. Trajneri i të bardhëve hodhi larg presionin ndaj skuadrës së tij, para kësaj ndeshjeje vendimtare:
“Liverpool ka më shumë uri? Unë nuk mund të flas për rivalin, por për veten. Ne kemi dhe do të kemi gjithmonë të njëjtin entuziazëm, të njëjtin përkushtim, të njëjtën dëshirë për të fituar. Askush nuk mund të na thotë se kemi më pak uri. Ne jemi Real Madridi dhe ky klub është ai që ka bërë historinë e futbollit.
Ne gjithmonë duam më shumë, ndaj do të japim gjithçka për ta luajtur edhe finalen e Kievit në mënyrën më të mirë. Formacioni startues në Kiev? Sigurisht, dikush nuk do të luajë, por disa nuk do të ndryshojnë dhe kjo është gjëja më e vështirë për mua si trajner. E dimë si kemi arritur në finale dhe nuk do të ndryshojmë shumë.
Çfarë më shqetëson nga Liverpool? Unë nuk e di nëse jemi të barabartë, por ata janë ekipi që ka arritur në finale. Kundërshtari e ka merituar të jetë në Kiev, ashtu si ne. Puna ime është që ta përgatis sa më mirë ndeshjen, si gjithmonë, duke studiuar edhe të metat e kundërshtarit.
Të luftosh për Championsin e tretë radhazi është një gjë e mahnitshme. Në fakt, e tillë ishte edhe për të fituar të parin dhe të dytin për mua si trajner. E vërteta është se këtë edicion kemi luajtur kundër tre kundërshtarëve të nivelit të lartë në Europë dhe mbërritja në finale ka një vlerë të rëndësishme. Tani është një finale e vetme, për Liverpool dhe për ne”.

Exit mobile version