Do ta vizitojë Sporting Gijon këtë fundjavë “Santiago Bernabeun”, ku Reali i Madridit do të kërkojë të konfirmohet skuadra e momentit në Spanjë, por konferenca e shtypit të Zinedine Zidane analizoi situatën disi delikate në skuadrën e tij. Kreyefjala e kësaj jave në skuadrën “Los Blancos” janë dëmtimet dhe trajneri francez me të drejtë u ndal gjatë në këtë çështje.
“Është shumë e vështirë kur ke shumë të dëmtuar. Ata që punojnë për klubin po bëjnë gjithçka është e mundur, sepse dëmtimet ndodhin në fushë. Ndihem keq kur shikoj një lojtar të dëmtuar. Bale do të qëndrojë jashtë fushave për një kohë të gjatë, por ne do të vazhdojmë rrugën tonë dhe do të japim maksimumin kundër Gijonit, sepse kjo është një ndeshje shumë e komplikuar. Varane dhe Bale janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm për ne, por tani le të shpresojmë që të rikthehen sa më shpejt”, u shpreh Zidane.
Në vijim, Zidane analizon momentin e Sergio Ramos, duke theksuar se kapiteni është gati për të zbritur në fushë, por nuk ka marrë ende asnjë vendim për aktivizimin e tij, ndërsa përqendrohet edhe te situata që po kalon James.
“Vendimet i marr unë. E di që James duhet të luajë më shumë, sepse një lojtar i klasit të tij ka nevojë për shumë minuta në këmbë. Gjithsesi, e theksoj, më duhet të marr vendime të rëndësishme shpesh herë dhe në këto momente edhe lojtarët e tjerë që aktivizohen po tregojnë gjëra pozitive”, tha ai.
30 ndeshje pa humbje janë një sukses më vete për trajnerin francez, që gjithsesi kërkon të mbajë skuadrën me këmbë në tokë. “Fitoret janë shumë të rëndësishme për këtë skuadër, pasi ne jetojmë për këto suksese. Këtë e di shumë mirë, sepse kam qenë lojtar, por edhe si trajner dua të fitojmë sa më shumë ndeshje dhe trofe. Unë jam shumë i motivuar, pavarësisht se shpesh herë na kritikojnë për stilin e lojës. Ne kemi ende marzhe përmirësimi”, përfundoi Zidane.
Ndërkohë, Carlos Bacca mund të rikthehet në La Liga gjatë janarit. Sulmuesi kolumbian, Carlos Bacca, planifikon të largohet nga Milan gjatë afatit kalimtar të janarit. Sipas “Calciomercato.com”, ish-ylli i Sevillas është i gatshëm të rikthehet në La Ligë. Thuhet se Valencia do të tentojë blerjen e Baccas gjatë afatit kalimtar të janarit. Kurse, gjatë verës interesim për reprezantuesin e Kolumbisë kishte shfaqur edhe skuadra franceze, Paris Saint-Germain, por transferimi dështoi pasi Rossonerët kishin kërkuar shumë para për ta liruar.