Zilia e Rusisë

Gregory Feifer

Lojërat Olimpike verore u hapën në Rio de Janeiro këtë javë pa praninë e 387 atletëve rusë që Federata Olimpike ruse kishte përzgjedhur fillimisht si pjesëmarrës. Komiteti Ndërkombëtar Olimpik nuk arriti të ndalojë plotësisht pjesëmarrjen e atletëve në lojë siç rekomandohet nga Agjencia Botërore Antidoping, por skandali ka shkaktuar gjithsesi një dëm të madh në reputacionin e atletëve rusë dhe ka turpëruar një qeveri të bindur se mund t’i jepte vendit lavdinë duke bërë hile.
Turp, por një turp, i cili nuk ndihet edhe aq në Rusi. Shumë rusë të zakonshëm, politikanë dhe atletë nuk hezituan aspak të përdorin justifikimin e tyre të vjetër. Sipas tyre, strategjia e elaboruar dhe e drejtuar nga qeveria për përdorimin e drogave në të paktën 30 sporte të ndryshme – përmes një sistemi në të cilin Shërbimi i Sigurisë Federale, pasardhës i KGB, mbikëqyri shpërndarjen e drogave që stimulojnë performancën dhe mbuloi mashtrimin duke ofruar kampionë falso urine – është në fakt një komplot i Perëndimit për të dëmtuar Rusinë.
Aftësia e popullit rus për të mos përfillur provat e pakundërshtueshme që tregojnë se Presidenti Vladimir Putin, i cili e fiton mbështetjen e tyre duke pretenduar se po rivendos pozicionin e vendit si superfuqi globale, ka arritur në të vërtetë vetëm të dëmtojë reputacionin e vendit në lojërat olimpike që është vërtet mbresëlënëse.
Skandali i dopingut, i cili duket se është përdorur në shkallë të lartë edhe në kohën sovjetike, është vetëm një tregues i asaj çfarë Rusia është bërë nën drejtimin e Putinit. Edhe pse shumë rusë mund të vazhdojnë të udhëtojnë të lirshëm nëpër botë, të blejnë të mira dhe shërbime të jashtme dhe të lexojnë publike ndërkombëtare nga më të ndryshmet, vendi përsëri ka ngecur në epokën sovjetike në shumë aspekte. Është mëse e sigurt se Kremlini, i cili rregullisht akuzon Washingtonin se ndërhyn pa drejtë në politikën ruse, ka drejtuar shërbimet e inteligjencës së vendit për të spiunuar kompjuterat amerikanë që i përkasin organizatave politike demokratike dhe të lëshojë e-mail-e për të influencuar fushatën presidenciale dhe për të favorizuar të mbështeturin e Putinit, Donald Trumpin. Brenda Rusisë, shërbimet e sigurisë bezdisin sistematikisht diplomatët amerikanë sikur të ishim ende në kohën e Luftës së Ftohtë.
Çfarë e dëmton akoma më shumë Rusinë është zbulimi i fundit i një industrie të tërë që shet teza e disertacione falso doktorature për biznesmenë, politikë dhe ithtarë të tjerë, duke shfaqur kështu një tjetër fytyrë të kësaj epidemie mashtrimi që po shpërbën gjithnjë e më shumë numrin e profesionistëve të vërtetë që ndodhen në vend. Ndërkohë, më të zgjuarit dhe më të mirët e Rusisë janë duke ikur jashtë vendit dhe kjo nuk është aspak çudi duke qenë se janë dhënë dënime me dy vite burg vetëm për pëlqimin e një postimi në Facebook.
Rusia është kthyer në një shtet policor në të cilin liria e jashtëzakonshme e veprimit që gëzojnë zbatuesit e ligjit e kanë kthyer ligjin të pakuptimtë në vetvete. Putini i dha ligjit një tjetër goditje këtë vit kur e riorganizoi policinë në mënyrë të tillë që të varej direkt nga Kremlini. Më pas vazhdoi duke miratuar një sërë ligjesh të tjera drakoniane, si paketa e “antiterrorizmit”, e cila vendos masa për të kriminalizuar mosraportimin e një krimi dhe detyron ofruesit e shërbimit të internetit dhe komunikimeve celulare që të ruajnë të gjitha të dhënat dhe komunikimet e konsumatorëve për gjashtë muaj.
Rezultati i kësaj klime frike dhe lakmie që është krijuar u shfaq hapur në Kampionatin Europian në Francë këtë verë, kur huliganët rusë të futbollit rrahën brutalisht tifozët britanikë në mënyrë aq të koordinuar dhe metodike sa Londra u detyrua ta akuzonte Moskën se kishin nisur një luftë hibride kundër Perëndimit. Pas këtij episodi, u hapën qindra mijëra profile falso në Twitter, të cilët promovonin idenë se tifozët rusë ishin provokuar nga ata britanikë. Ndërkohë, një anëtar i lartë i Parlamentit reflektoi hapur qëndrimin e Rusisë për këtë event kur postoi në Twitter komentin: “Mirë ia bëtë çuna, kështu vazhdoni!”.

Të mbetur pas
Ndoshta arsyeja përse Moska përdor strategji të tilla aspak dinjitoze është për shkak se ka mbetur pas krahasuar me Perëndimin. Por të paktën në një aspekt të vetëm, Rusia ia kalon të gjithë kundërshtarëve të saj: në korrupsion. Në këtë aspekt madje ia kalon edhe paraardhësit të saj, Bashkimit Sovjetik. Disa disidentë sovjetikë argumentojnë me të drejtë se e gjithë Partia Komuniste ka qenë një organizatë kriminale, duke sfumuar në maksimum dallimin ndërmjet aktiviteteve zyrtare dhe atyre kriminale.
Megjithatë, në akademinë sovjetike, në edukim, madje edhe sistemin gjyqësor – kur çështjet kriminale apo civile nuk kishin implikime politike – ekzistonte një shkallë lirie dhe profesionalizmi, e cila po zhduket me shpejtësi në shtetin e sotëm rus të stilit mafioz.
Korrupsioni rus nuk është një fenomen i ri. Në një formë apo tjetër, hilet dhe mashtrimi kanë qenë karakteristika kryesore e shtetit rus të paktën që prej vitit 1948, kur një taksë e re universale shkaktoi atë që historianët e quajnë si protesta  e parë popullore antikorrupsion.
Mashtrimi që qëndron në themel të shoqërisë ruse ka qenë mëse i njohur edhe për Nikolai Gogol. Natyra gjithëpërfshirëse e korrupsionit në vend ofroi material shumë të pasur për veprën e tij “Shpirtra të vdekur” në vitin 1842. Protagonisti i kësaj vepre është një udhëtar periferie, i cili blinte lista të skllevërve të vdekur, të cilët mund të quheshin prona sepse vdekjet e tyre nuk ishin regjistruar zyrtarisht. Pak pas publikimit të këtij libri, cari Nikolas I iu ankua djalit të tij, cari i ardhshëm Aleksandër II, për personelin ushtarak që vidhte dhe trafikonte armë, veshje dhe ushqim gjatë luftës së Krimesë 1853-1856, duke i thënë: “Sashka, mendoj se ka vetëm dy njerëz në Rusi që nuk vjedhin: ti dhe unë”.
Gjatë viteve 1980, sovjetologu James Millar shpiku termin “Marrëveshje e vogël” për të përshkruar korrupsionin e nivelit të ulët që Kremlini lejon të kryhet ndërmjet njerëzve të zakonshëm si formë e rishpërndarjes ekonomike. Këto marrëveshje të pashkruara kanë lehtësuar situatën e rëndë ekonomike për njerëzit e zakonshëm dhe e kanë lejuar qeverinë të vazhdojë të refuzojë reformat.
Kështu, sistemi i vërtetë ekonomik u kthye në një përzjerje të falsitetit, mitdhënies dhe improvizimit momental. Njerëzit ishin tepër të zënë duke vjedhur dhe shkëmbyer cikërrimka për të ushqyer familjet e tyre dhe as nuk u interesonte mbijetesa apo eficenca e fabrikave dhe zyrave ku punonin. Edhe Kryeministri i Mikhail Gorbachevit dikur ka thënë se: “Tipari më i tmerrshëm i Bashkimit Sovjetik ishte gjendja morale e shoqërisë. Njerëzit vjedhin nga njëri-tjetri, japin e marrin ryshfete, gënjejnë nëpër raporte, gazeta dhe nga podiumet e larta. Nga maja deri në fund ne ngopemi me gënjeshtrat e njëri-tjetrit dhe i varim medalje njëri-tjetrit”.
Një rast tipik i këtij fenomeni është për shembull qyteti siberian i Orskut ku llogaritarët e një fabrike vidhnin pagat e punonjësve, të cilët kishin vdekur dhe ishin varrosur me kohë. Supervizorët bashkëpunëtorë në vjedhje, të cilët menaxhonin skemën e mashtrimit siguroheshin t’i jepnin një pjesë të fitimit qeverisë lokale, e cila padyshim një pjesë ia kalonte mbrojtësve të saj në Moskë sepse skema duket se ishte përhapur në të gjithë qytetin në masë.
Një pjesë e mirë e drejtuesve kopjonin emrat nga gurët e varreve në varrezat lokale, në disa raste emra të njerëzve që kishin vdekur që në vitin 1842, viti kur u publikua edhe libri “Shpirtra të vdekur”. Por në vitin 2005, edhe kjo skemë e vjedhjeve të pagave filloi të dukej e papërfillshme. Atë vit filluan të zhdukeshin trenë të tërë të mbushur me të mira dhe materiale nga më të ndryshmet. Putini ka bërë të mundur që të shfrytëzohet në maksimum dëshira e popullit për të mashtruar në shkallë në lartë.
Është e pamundur të bësh biznes në Rusi në çdo nivel mbi sektorin e shitjes me pakicë, të paktën jo pa u bërë pjesë e fushatës gjithëpërfshirëse të mashtrimit dhe vjedhjes së vendit. Niveli i intrigës në majë i bën liderët komunistë të duken si çunakë të papërfillshëm. Vetëm në raportimin më të fundit të javës së kaluar, gazeta investigative “Novaya Gazeta” lidhte Igor Sechinin – miku i miqve të Putinit dhe kreu i kompanisë shtetërore të naftës “Rosneft”, që mendohet se është edhe personi i dytë më i pushtetshëm i Rusisë – me jahtin më luksoz në botë të emërtuar Princesha Olga, me një vlerë të paktën prej 100 milionë dollarësh.
Gazeta publikoi fotografi të jahtit në Detin Mesdhe dhe në shumë vend të tjera të marra nga profili në Instagram i gruas së Sechinit, Olga, e cila pozonte me bikini. Këto janë lukse të mëdha që as Sechini, me të ardhurat e tij prej 12 milionë dollarësh në vit, nuk do të duhet t’i përballonte dot.

Zilia
Këtu fillon të burojë edhe ndenja e thellë e zilisë së rusëve. Në vendin e tyre, ku jeta është e vështirë dhe mashtrimi është mënyra më e lehtë për ecur përpara, propaganda e Kremlinit ka bërë që të mbijë një mllef i madh kundrejt Perëndimit më të begatë dhe më eficent, duke shfrytëzuar edhe ndenjën historike të superioriteit moral të vendit. Vështirësitë i kanë bindur brezat e ndryshëm të rusëve se ata sillen në një mënyrë të caktuar sepse janë ndryshe nga të tjerët, siç ilustrohet edhe nga pasazhi tepër i cituar i novelës së vitit 1980 të Vasily Aksyonov “Djegia”.
“Në Europë”, shkroi ai, “ka demokraci mendjelehta dhe klimë të butë, ku një intelektual e kalon jetën duke shkuar nga karrigia e dentistit tek makina ‘Citrown’, nga kompjuteri tek bari, nga podiumi i drejtuesit tek krevati i gruas dhe ku literatura është aq e mprehtë dhe e dobishme sa një pjatë me goca deti të zbukuruar me akull të copëtuar. Në Rusinë me gjashtë muaj dimër të egër, me carizmin, marksizmin dhe stalinizmin tonë, situata është ndryshe. Ajo që na duhet është një problem mazokist, të cilit t’i drejtojmë gishtin tonë të lodhur, të sfilituar, jo shumë të pastër, por të ndershëm. Kjo është ajo që na duhet dhe nuk është faji ynë”.
Imazhi tipikisht i idealizuar i Perëndimit që shfaq Aksyonov, të mbushur gjithashtu me zili, reflekton besimin e rusëve se fakti që ata shqetësohen për çështje më të thella, i bën edhe njerëz më superiorë. Makineria masive e propagandës ruse akuzon Washingtonin se po përpiqet të rrëzojë qeverinë, tek e cila rusët kanë besim se mund të arrijnë madhështinë e vendit dhe Putinit i duhet të vazhdojë të krahasohet me Perëndimin në mënyrë që të mbajë gjallë këtë iluzion.
Natyrisht edhe krahasimi nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Kur Rusia të zgjohet në vitet apo dekadat e ardhshme dhe të lërë pas strategjitë e Bashkimit Sovjetik, njerëzit do të përballen me të njëjtat probleme që kanë kaluar edhe perëndimorët, siç janë reformimi i ekonomisë dhe qeverisë.

Artikulli paraprak“Lufta e frikës” mes Washingtonit dhe Moskës
Artikulli tjetërDosja e plotë, kush janë 29 drejtuesit e policisë në trafikun e drogës?