Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për skandalin e mbetjeve të dyshuara si të rrezikshme të Kurum, skandal i cili duket se po mbulohet, ndërkohë që mbetjet mbahen në Porto Romano dhe ende nuk janë dërguar për analiza.
Lala tha se ka një përpjekje për të “varrosur” çështjen.
“Kontejnerët që dyshohet se përmbajnë lëndë toksike janë vendosur në Porto Romano. Investigimi i BIRN tregonte se Kurum ka eksportuar një sasi shumë të madhe mbetjesh. Nëse mbani mend, kemi ngritur këtë shqetësim se çfarë ka ndodhur me mbetjet e rrezikshme të Kurum. Nuk kishte transparencë.
Çfarë na rezulton? Kjo kompani ka eksportuar jashtë vendit nën hundën e autoriteteve shqiptare. Është një zinxhir institucionesh të korruptuara. Ne nuk kemi asnjë evidencë apo transparencë se çfarë po ndodh me shëndetin e shqiptarëve dhe ku kanë përfunduar mbetjet. Mund të jenë edhe dhjetëra apo qindra ton që nuk dihet se ku mbahen.
Ajo që duhet të shqetësojë shtetin, është fakti që 102 kontejnerët janë vendousr në Porto Romano dhe nuk janë marrë mostrat për analizat. Shteti duhet të vepronte me urgjencë, ka dëmtim serioz të shëndetit po mbahen në kushte të papërshtatshme. Nuk e dimë efektet negative që mund të sjellë në popullatë.
Të gjitha institucionet ia kanë futur gjumit dhe duan ta varrosin çështjen. Mostrat duhet të merreshin me urgjencë dhe të ishte përcaktuar qartë se çfarë ka ndodhur. Pse nuk ka inspektim ndaj Kurum?
Sa ton ka prodhuar mbetjet të rrezikshme? Të gjithë çfarë po bëjnë? Kanë mbyllur gojën, nën influenca, ndërsa shteti do ta mbyllë. Ia kanë lënë në derë prokurorisë”, tha Lala.